[There are no radio stations in the database]

Pa rezultate konkrete nga takimi i nivelit të kryenegociatorëve Kosovë-Serbi në Bruksel

Kosova dhe Serbia me lehtësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE), kanë zhvilluar një takim të ri në nivel të kryenegociatorëve, në Bruksel, por që edhe ky takim nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret, transmeton Anadolu.

Kryenegociatori kosovar, njëherësh zëvendëskryeministër në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, kanë takuar fillimisht ndaras të dërguarin e posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, dhe më pas kanë zhvilluar edhe takim trepalësh.

Pas takimit, kryenegociatori kosovar Bislimi tha se pala serbe ka insistuar që të zbatohet së pari pjesa e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërkohë që Kosova ka insistuar që të zbatohet Marrëveshja Bazike në tërësi dhe që sidomos çështjet që kanë të bëjnë me komisionet për të pagjeturit.

“Ideja sot ishte të kemi fillimisht progres në themelimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur me forcë dhe pastaj në pjesën tjetër të kemi një takim, ku palët, Kosova dhe Serbia, japin propozime konkrete, sipas së cilës, pastaj, versioni i dhjetë i planit të sekuencimit do të mund të bëhej një plan i pranueshëm për palët”, ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë se në pikën e parë nuk është arritur qëllimi për themelimin e komisionit për persona të pagjetur, sepse “me gjasë Serbia është tërhequr nga marrëveshja për terma të referencës”.

“Ata thane se duan që edhe një herë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar nga Brukseli dhe as nga pala jonë. Këtu kemi parë pak a shumë një joharmoni në ekipin serb. Si duket dikush ka dashur ne sot ta themelojmë, por pjesa tjetër ka bllokuar”, ka thënë tutje ai.

Ndërkaqm për pikën tjetër, Bislimi ka thënë se Kosova ka ofruar tri propozime e Serbia jo, por vetëm ka kërkuar Asociacionin si kusht të parë. Sipas tij, me këtë kushtëzim, Serbia ka treguar se është tërhequr nga Marrëveshja Bazike.

“Serbia ka refuzuar të japë propozime konkrete. Por, pozicioni i Serbisë mund të përkthehet shumë thjeshtë, së pari Asociacioni parakusht e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton se në fakt Serbia është tërhequr nga Marrëveshja Bazike ose refuzon të diskutojë për të”, ka thënë ai.

Bislimi ka deklaruar se Serbia ka ndaluar diskutimin kur është shtruar kërkesa e Kosovës për bllokimin e shpërndarjes së mjeteve nga Qeveria e Kosovës për fermerët në Luginën e Preshevës.

Duke folur për çështjen e të pagjeturve dhe inspektimin për dyshime për varrezë masive në Kozhle, Bislimi ka thënë se Kosova i ka përmbushur obligimet e ndërmarra, ndërsa Serbia ka bërë zero progres.

“Ajo që ka ndodhur është që në korrik e gusht të këtij vitit, ka pasur zjarre të mëdha bash në territorin ku është dashur të ketë gërmime dhe ne dyshojmë se është bërë me qëllim të zhdukjes së dëshmive. Dhe vetëm para dy-tri dite ata kanë treguar gatishmëri që t’i fillojnë gërmimet në Kozhle në regjionin e Novi Pazarit. Por, progres tjetër s’ka pasur”, ka shtuar ai.

Kryeministri tani në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se më 27 shkurt të vitit 2023 ka ofruar ta nënshkruhet Marrëveshja Bazike, por këtë nuk pranoi pala ta nënshkruante pala serbe, e cila paraprakisht e kishte pranuar marrëveshjen.

Kurti kishte deklaruar se Marrëveshja Bazike në kuadër të procesit të dialogut është kryefjala e raporteve Kosovë-Serbi, por kishte shtuar se Serbia këtë nuk e dëshiron, ngase sipas tij, Serbia në qendër e ka Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.


[There are no radio stations in the database]