OKB: Afganistani, vendi me numrin më të madh të vdekjeve të fëmijëve në botë

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se Afganistani është vendi ku janë përjetuar më shumë vdekje të fëmijëve në botë që nga viti 2005, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga UNICEF-i thuhet se 28.500 është numri i fëmijëve që kanë humbur jetën dhe janë plagosur brenda 16 viteve për shkak të ngjarjeve të dhunshme në Afganistan.

Kjo shifër përbën 27 për qind të vdekjeve të fëmijëve në botë dhe në këtë mënyrë Afganistani është vendi ku janë përjetuar më shumë vdekje të fëmijëve që nga viti 2005 e deri më tani, thuhet në deklaratën në të cilën bëhet e ditur se duhet të bëhet çdo përpjekje për të mbrojtur nga dhuna fëmijët në çdo vend të botës, kryesisht në Afganistan.

Në luftërat dhe ngjarjet e dhunshme të përjetuara në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 kanë humbur jetën mbi 460 fëmijë dhe janë plagosur qindra të tjerë.

Gjithashtu në deklaratë shprehet shqetësimi se vdekjet e fëmijëve mund të vazhdojnë si pasojë e konflikteve të armatosura dhe municioneve të mbetura nga lufta.

Nga lufta e cila vazhdon prej rreth 40 vitesh në Afganistan, më shumë janë prekur fëmijët dhe gratë.

Në një deklaratë nga UNICEF-i më 20 nëntor, ishte paralajmëruar se 14 milionë fëmijë afganë ndodhen përballë rrezikut të urisë dhe se 1 milion prej këtyre janë përballë rrezikut të vdekjes.