Në veri të Kosovës situata është e qetë, por barrikadat ende nuk janë larguar

Në veri të Kosovës situata është e qetë, por barrikadat ende nuk janë larguar

Situata është e qetë, por barrikadat me automjete të rënda në disa prej rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjak, vazhdojnë të pengojnë lëvizjen e lirë në pjesën veriore të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Me gjithë thirrjen e autoriteteve shtetërore kosovare por edhe bashkësisë ndërkombëtare një ditë më herët, serbët lokalë nuk i larguan barrikadat as në rrugën kryesore Mitrovicë-Leposaviq, në fshatin Rudare, i cili ndodhet afër Komunës së Zveçanit.

Aty ku fillojnë shtëpitë e para në Rudare, disa kilometra larg Mitrovicës, në rrugë janë vendosur kamionë dhe autobus horizontalisht, ndërsa para tyre janë vendosur shirita që sinjalizojnë se rruga është e pakalueshme.

Barrikadat ruhen nga një grup i vogël i serbëve lokalë, derisa pas kamionëve qytetarët kanë ngritur edhe tenda ku kanë bërë rojë gjatë natës.

Afër barrikadës ndodhen edhe dy automjete patrulluese të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), ndërsa Policia e Kosovës nuk është prezente.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se që nga pasditja e së shtunës u vendosën barrikada me automjete të rënda në gjashtë rrugë kryesore publike në veri të vendit, afër Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Për shkak të barrikadave, Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinje afër Leposaviqit dhe atë në Bërnjak, afër Zubin Potokut.

Edhe në urën mbi Lumin Ibër, e cila ndanë qytetin e Mitrovicës në pjesën e veriut të banuar me shumicë serbe dhe pjesën e jugut me shqiptarë është situatë e qetë. Dy automjete të Misionit EULEX dhe një veturë e Policisë së Kosovës janë vendosur mbi urë duke patrulluar derisa gjenden edhe dy automjete të KFOR-it, pa ushtarë në to.

Pjesa veriore e Mitrovicës është e qetë ndërsa shumë pak njerëz qarkullojnë në rrugë. Siç mësohet, sot shkollat fillore dhe të mesme nuk po zhvillojnë mësim në katër komunat në veri të Kosovës, për shkak se prindërit po hezitojnë t’i lejojnë fëmijët në shkolla për shkak të sigurisë.

– Reagon edhe bashkësia ndërkombëtare

Pas tensioneve në veri ka reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare. Bashkimi Evropian kërkoi fuqimisht që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë konfliktet e tyre të fundit, nëpërmjet Përfaqësuesit të Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje nëpërmjet ambasadave të tyre në Prishtinë e Beograd që të ulen tensionet dhe të largohen barrikadat në veri, derisa ministrja e Jashtme gjermane, tha se Kosova i uli tensionet duke vendosur për shtyrje të zgjedhjeve në katër komunat e veriut, ndërsa Serbia e bëri të kundërtën duke paralajmëruar dërgimin e forcave serbe në territorin kosovar.

Baerbock tha se retorika e Serbisë është e papranueshme dhe sipas saj edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it në veri, janë të papranueshme.

Në një kohë kur situata në Kosovë është tensionuar, sot pritet që Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takohen në Prishtinë me udhëheqësit e institucioneve të larta në vend si dhe me krerë të partive opozitare parlamentare.

– Si erdhi deri tek tensionet e fundit në veri të Kosovës?

Situata në veri të Kosovës u tensionua kur zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) së bashku me pjesëtarë të Policisë së Kosovës shkuan në Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ) në komunat veriore, me qëllim të fillimit të procesit të përgatitjes për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok u sulmuan më 6 dhjetor KKZ-të sipas Policisë me shok-bomba, granata dore dhe armë zjarri, të cilat rezultuan pa incidente në njerëz por me demolim të zyrave të KKZ-ve.

Gjatë ditëve pasuese në veri të vendit u shtuan zyrtarët policorë, derisa qytetarët raportuan për shpërthime të shpeshta në veri si dhe në gjashtë rrugë publike të cilat çojnë në dy pika kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinje e Bërnjak, u vendosën automjete të rënda duke bllokuar qarkullimin e automjeteve tjera.

Më vonë nga sulmet drejtë njësive policore u lëndua edhe një pjesëtarë i Policisë së Kosovës, gjithashtu u sulmua edhe një patrullë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), e po ashtu nga disa persona me maska u sulmua edhe një ekip gazetarësh vendorë në Mitrovicë të Veriut.

Bllokimi i rrugëve, sipas Petar Petkoviqit, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është bërë për shkak të arrestimit të ish-policit serb në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues nga autoritetet kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje serbëve lokal që t’i largojnë barrikadat në veri të dielën, por të njëjtën thirrje ia ka drejtuar edhe KFOR-it, duke theksuar se KFOR-i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurt i cili nënkupton lirinë e lëvizjes pa dallim.