
Ndihmë ushqimore shpërndahet në Gaza në përpjekje për të zbutur urinë nën bllokadën izraelite
Në përpjekje për të zbutur krizën gjithnjë e më të thellë humanitare në Rripin e Gazës, një organizatë bamirëse shpërndan ushqim të nxehtë për qindra palestinezë të zhvendosur në zonën bregdetare të al-Mawasi në qytetin Khan Younis në jug të enklavës palestineze, raporton Anadolu.
Meqenëse Izraeli vazhdon bllokadën e plotë ndaj Gazës, ndihmat humanitare janë bërë burim jetik për familjet palestineze që jetojnë në kushte ekstreme, të privuara nga ushqimi, uji dhe kujdesi shëndetësor.
Pamjet nga terreni tregojnë fëmijë dhe të rritur të mbledhur në turma të dendura dhe në rrëmujë, duke mbajtur tenxhere dhe enë të tjera, në përpjekje për të marrë një vakt të ngrohtë. Shpërndarja e ushqimit shënon një moment të rrallë lehtësimi për banorët e zhvendosur, të cilët jetojnë në tenda dhe pa kushte bazike që prej fillimit të ofensivës izraelite.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 113 palestinezë, shumica prej tyre fëmijë, kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja në Gaza.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 59.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake gjithashtu ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.