Ndihma humanitare nga Turqia arrin në Ukrainë dhe Moldavi

Ndihma humanitare nga Turqia arrin në Ukrainë dhe Moldavi

Tetë kamionë me ndihma humanitare të dërguara nga Turqia për ukrainasit në nevojë për shkak të luftës dhe personat e ikur nga vendi u janë dorëzuar autoriteteve lokale në Ukrainë dhe Moldavinë fqinje, tha Dretjoria turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, agjencia shtetërore tha se pesë kamionë me ndihma – përfshirë ushqime, sende të kujdesit personal, batanije, shtretër dhe tenda – iu dorëzuan autoriteteve në Ukrainë, ndërsa tre të tjerë iu dorëzuan Moldavisë, ku OKB thotë se rreth 80.000 ukrainas kanë ikur për shkak të luftës së Rusisë në vendin e tyre.

Deklarata citon Sergiu Diaconu-n nga Ministria e Brendshme e Moldavisë të ketë thënë se “po përballemi me një zhvendosje të madhe të popullsisë”.

Turqia është “një nga vendet e para që ka dhënë një dorë ndihme”, ka thënë ai, duke shtuar se Moldavia është “mirënjohëse ndaj popullit ndihmues turk”.

Sipas deklaratës, ekipi i AFAD-it vazhdon të shpërndajë ndihma për personat në nevojë në Portën Kufitare Siret në kufirin rumun me Ukrainën.

Ndërkohë, një ekip 11-anëtarësh i ndihmës humanitare të AFAD-it vazhdon të punojë në rajon për të vlerësuar nevojat humanitare në Ukrainë dhe për të koordinuar ndihmën e dërguar nga Turqia.

Kamionët e ndihmave humanitare dërguar popullit ukrainas dhe qytetarëve turq në rajon përfshijnë 1.536 pako ushqimore, 360 tenda familjare, 16 tenda për qëllime të përgjithshme, 680 shtretër, 680 komplete shtroje dhe 2.640 batanije.

Ndërkohë, një ekip nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke ofroi pije freskuese për vendasit me një mjet mobil në Chernivtsi të Ukrainës.

Që nga fillimi i luftës, mbi 874 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje, ka njoftuar Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).