
Myftiu Tërnava në Sarajevë: Kemi përjetuar të njëjtin agresor
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po qëndron për vizitë zyrtare në Sarajevë, me ftesë të Reisul-ulemasë së Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, Husein Kavazoviq, transmeton Anadolu.
Siç njofton Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), gjatë kësaj vizite, në ambientet e Rijasetit në Sarajevë, Myftiu Tërnava u prit nga Reisul-ulema Kavazoviq, i cili e njohu atë me veprimtarinë institucionale të Bashkësisë Islame të BeH-së dhe sfidat me të cilat ajo përballet në përditshmëri.
Myftiu Tërnava vlerësoi lart rolin, kontributin dhe qëndrueshmërinë e Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe lidhjeve të ngushta ndërmjet dy bashkësive islame dhe popujve të tyre.
“Kemi përjetuar të njëjtin agresor, i cili synoi shfarosjen dhe dëbimin e popullit tonë për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare”, u shpreh ndër të tjera myftiu Tërnava.
Gjithashtu, në këtë takim, në shenjë respekti dhe solidariteti, myftiu Tërnava i dhuroi homologut të tij boshnjak librin shqip të imamit dhe të mbijetuarit të gjenocidit në Srebrenicë, Mevludin Hrnjic, “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, i cili u promovua këtë javë në Prishtinë, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës.
Tërnava do të marrë pjesë nesër në manifestimet përkujtimore në Srebrenicë, për të nderuar viktimat e pafajshme të masakrës së korrikut 1995.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e përkujtimit dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke rikujtuar se “masakrës së Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare i ka dhënë statusin juridik të gjenocidit”.