Myftiu Tërnava mori pjesë në akademinë përkujtimore të katër imamëve dëshmorë nga Shtimja

Me 14 dhjetor Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë mori pjesë në akademinë përkujtimore të rënëve dëshmorë në Pashtrik të imamëve Fadil Rashiti nga Petrova, Arben Hyseni nga Godanci, Selim Selimi nga Belinci dhe në Koshare Abedin Murtezi nga Mollopolci i Shtimes. Në këtë eveniment të përvjetorin e 23-të të rënies dëshmorë të imamëve të komunës së Shtimes që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, morën pjesë edhe përfaqësues të KBI të Shtimes, Fakulteti i Studimeve Islame, Medreseja e mesme Alaudin, institucione të komunës së Shtimes,FSK, PK,parti politike, KBI të Ferizajt, Kaçanikut, Lipjanit e të Gjakovës, bashkëluftëtar të dëshmorëve, familjarë të dëshmorëve, hoxhallarë etj.
Me këtë rast fjalën hapëse e bëri, kryetari i BI të Shtimes Skender ef. Baftiu i cili mes tjerash theksoi se ndjehen krenar me veprën dhe sakrificën që treguan këta imamë që ranë për të mos vdekur kurrë. “Si KBI në Shtime jemi përkushtuar që kjo akademi dhe përgatitja e dokumentarit për dëshmorët tanë imamë të jetë një hap i parë i ndriçimit të sakrificës për liri në mënyrë që shumë shpejt të kemi edhe dokumentar apo monografi tjera”-tha Baftiu.
Ndërsa kryetari i komunës së Shtimes z.Qemajl Aliu shprehu mirënjohje për Këshillin e BI të Shtimes për organizimin e kësaj akademie dhe dokumentarit të përgatitur. “Vitet e krenarisë dhe lavdisë do të mbetet gjatë në kujtesën tonë kombëtare. Ka vetëm një rrugë nëpër të cilën ecën historia e lirisë e ajo është rruga e gjakut të dëshmorëve të kombit të cilët në kthesën e madhe historike ishin të gatshëm që të falin gjakun për ardhjen e lirisë sonë dhe kujtimi ndaj tyre do të mbetet i freskët prore në mendjet tona”-tha kryetari Aliu.
Ndërsa Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava evokoi kujtime për nxënësit e studentët e tij që tashmë janë dëshmorë. Ai më pas në emër të institucionit ët BIK-ut përshëndeti familjarët e dëshmorëve duke lutur Zotin që atyre tu falë të gjitha të mirat në dy botët, kurse shehidëve e të vdekurve t’i gradoj e shpërblej me xhenet. Zoti në Kuran thotë se ata të cilët ka rënë dëshmorë për çlirimin e vendit për atdhe dhe fe e kurrë mos thoni se ata janë të vdekur, por ata janë të gjallë dhe gjallëria e tyre është prezentë në vazhdimësi tek ne. Ai nuk la pa përmendur edhe sakrificën e nënës shqiptare të cilat janë gjetur dhe kanë punuar shumë dhe janë motivuese për çlirimin e vendit tonë andaj Zoti i shpërbleftë me të mirat e Tij. Ato janë krenaria e kombit tonë dhe kontributin më të madh për clirimin e vendit e kanë dhënë nënat tona.
“Cilësi dhe veçori të Fadilit ishin urtësia, devotshmëria dhe vendosmëria. Ndaj urtësia e tij fliste vet dhe në fytyrën e t e tij të urtë kemi vërejtur pakënaqësinë e tij të vazhdueshme që kishte edhe me gjend e vështirë që mbretëronte asokohe në Kosovë nga okupimi klasik që i kishte bërë Serbia vendit tonë. Vlen të theksohet se paraqitjen e fundit të provimit në FSI , Fadili e kishte bërë për në akaid në lëndën time, mirëpo ai i hyri një provimi edhe më të madh, provimit që na ka ftuar Zoti xh.sh., që kur e kërkon vatani t’i përgjigjemi. Ai iu përgjigj dhe derdhi gjakun e tij të njomë për të mos vdekur kurrë”-tha Tërnava i cili më pas evokoi kujtime edhe nga takimi i fundit që kishte pasur me Arbenin tashëm dëshmorë që ishin takuar në c hyrje të Medresesë dhe e kishte njoftuar se do të bashkohej radhëve të UCK-së, dhe si profesor që ishte e afroi dhe përqafoi dhe si drejtor ia dha disa këshilla
Ai më pas nënvizoi rolin dhe peshën historike që pati Medreseja në të gjitha proceset historike të vendit tonë e në veçanti të Luftës së fundit ku dha 37 dëshmorë nga ish nxënësit e kësaj shkolle për të mirën sa më të mirë të këtij vendi. Ai përmes këtij tubimi porositi që brezin e ri ta edukojmë më shumë në frymën e mirë kombëtare atdhetare e fetare ta mësojmë atë për atë që na ka mësuar Zoti, Muhamedi a.s. andaj të jemi unik të ecim para, interesin parcial,partiak, klanor e grupor ta flakim tutje. Në fund edhe njëherë Myftiu Tërnava duke nderuar dhe vlerësuar veprën e tyre që dëshmorët t’i gradoj me të mirat e Tij të pakufishme.
Në emër të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të pranishmit i përshëndeti edhe z. Muhamet Bilalli, i cili tha falë veprës së tyre ne sot gëzojmë lirinë. “Luftëtarët e lirisë që po i përkujtojmë sot janë bërë pjesë e jetës sonë të përditësime dhe janë pjesë e lirisë sonë”-tha Bilalli.
KBI e Shtimes me këtë rast në fund të kësaj akademie kishte përgatitur dokumentarin ”Lulet e shtegut të lirisë” kushtuar këtyre dëshmorëve, ndërsa më pas u ndanë diploma POST-MORTUM nga FSI për hoxhën Fadil Rashiti dhe nga Medreseja për Arben Hysenin, Selim Selimin dhe Abedin Murtezi.
Në Pashtrik ra dëshmorë Fadil Rashiti më 14.12 1998, Arben Hyseni më 14.12.1998 dhe Selim Selimi më 14.12.1998, kurse Abedin Murtezi ra dëshmorë në Koshare më 5 maj 1999.