Dita-e-Ashures

MUAJI MUHARREM DHE DITA E ASHURËS

  1. Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit hixhri[1] dhe është muaji i fundit nga muajt e shenjtë. Si muaj i shenjtë vjen i treti në varg pas muajve Dhulkade dhe Dhulhixhe, kurse pas tij vjen muaji Rexheb.[2] Allahu thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur i krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë.” (Et-Teube: 36)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Koha (viti) është kthyer përsëri, siç ka qenë në fillim kur Allahu i krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër janë të shenjtë, tre nga ta janë radhazi: Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb është ndërmjet muajit Xhumada dhe Shaban.”[3]

  1. Nga vlerat e këtij muaji është se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, e quajti “Muaji i Allahut”[4].

Dedikimi i muajit si muaj i Allahut është në shenjë nderimi dhe madhështie, “gjë që aludon në vlerën dhe madhështinë e tij si muaj. Allahu kur i dedikon diçka Vetes ajo duhet të jetë e veçantë nga krijesat e Tij, ashtu si ia dedikoi ubudijes (të qenët rob i Allahut) së Tij Muhamedin, Ibrahimin, Is’hakun, Jakubin dhe profetët e tjerë, si dhe ia dedikoi Vetes shtëpinë e Tij (Qabenë) dhe devenë e Tij.”[5]

  1. Nga dijetarët ka që muajin Muharrem e llogarisin si më të mirin në mesin e muajve të shenjtë. El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Muaji më i mirë në mesin e muajve të shenjtë është muaji i Allahut, muaji Muharrem.”

Dhe njashtu tha: “Allahu e filloi vitin me një muaj të shenjtë dhe e përfundoi me një muaj të shenjtë, andaj tek Allahu, pas muajit Ramazan, nuk ka muaj më të mirë brenda vitit se muaji Muharrem.”[6]

  1. Dhjetë ditët e para të Muharremit janë ditët më të mira të muajit. Ebu Uthman en-Nehdij, Allahu e mëshiroftë, tha: “Të parët tanë të mirë i dallonin tri dhjetëshe: dhjetëshin e fundit të Ramazanit, dhjetëshin e parë të Dhulhixhes dhe dhjetëshin e parë të Muharremit.”[7]
  2. Allahu e ndaloi t’i bëhet dëm vetes në muajt e shenjtë dhe thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm.” (Et-Teube: 36)

Gjynahu gjatë muajve të shenjtë është më i madh sesa në muajt e tjerë për shkak të shenjtërisë dhe madhështisë së tyre.

Katade, Allahu e mëshiroftë, tha: “Dëmi gjatë muajve të shenjtë është më i madh në gjynah karshi muajve të tjerë, edhe pse dëmi është i madh dhe padrejtësia e madhe në çdo kohë dhe në çdo gjendje, por Allahu madhështon nga çështja e Tij çfarë të dëshirojë.”[8]

  1. Myslimani gjatë muajit Muharrem pëlqehet ta shpeshtojë agjërimin e tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në një hadith tha: “Agjërimi më i mirë pas atij të muajit Ramazan është agjërimi në muajin Muharrem, dhe namazi më i mirë pas atij të detyruar është namazi i natës.”[9]

Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Hadithi tregon qartë se agjërimi vullnetar më i mirë, pas atij të detyruar në Ramazan, është agjërimi në muajin Muharrem.”[10]

Këtu për qëllim është më i mirë në mesin e agjërimit vullnetar të përgjithshëm.

  1. Të agjërohet në muajin Muharrem është e pëlqyer, që nënkupton se pëlqehet të shpeshtohet agjërimi i tij, e jo të agjërohet muaji në tërësi, sepse është vërtetuar që Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, përveç muajit Ramazan asnjëherë nuk ka agjëruar muaj tjetër në tërësi, kurse më shumë ditë që ka agjëruar brenda një muaji tjetër ka qenë në muajin Shaban.[11]
  2. Dijetarëve u krijoi problem në kuptim agjërimi i shpeshtë i Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në muajin Shaban dhe jo në Muharrem, duke pasur parasysh që ai vetë e përmendi qartë se agjërimi më i mirë pas atij në Ramazan është agjërimi në muajin Muharrem.

Përgjigjja është:

Përmendet se ekziston mundësia që shpallja për vlerën e agjërimit në muajin Muharrem të mos i ketë zbritur, përveçse në fund të jetës së tij dhe para se t’i mundësohet të agjërojë në këtë muaj.

Apo ekziston mundësia të jetë sfiduar me pengesa që e kanë penguar të agjërojë më shumë ditë në këtë muaj, si: udhëtimi, sëmundja etj.[12]

  1. Dita e Ashurës bie në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të mëhershëm dhe bashkëkohorë, në këtë aludojnë hadithet, këtë kuptim e përmban vetë fjala (Ashura) dhe kjo është e njohur te dijetarët e gjuhës.[13]
  2. Ashura është emër islam dhe si emër nuk është njohur në periudhën para Islamit.[14]
  3. Dita e Ashurës pëlqehet shumë të agjërohet. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Për agjërimin e ditës së Ashurës, shpresoj që Allahu të m’i shlyejë gjynahet e vitit që kaloi.”[15]
  4. Agjërimi i ditës së Ashurës i shlyen të gjitha gjynahet e vogla dhe jo ato të mëdha.

Nëse gjen gjynahe të vogla, agjërimi  i Ashurës i shlyen ato, e nëse nuk gjen as të vogla e as të mëdha, atëherë atij që agjëron i shkruhen të mira dhe i ngriten gradat, e nëse gjen gjynah të madh apo gjynahe të mëdha, shpresohet që ato gjynahe t’i lehtësohen.[16]

  1. Myslimani familjen, fëmijët dhe ata që i ka nën përgjegjësinë e tij duhet t’i nxitë ta agjërojnë ditën e Ashurës dhe natën të ngriten për syfyr.

Rubejia bint Muavidh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, për agjërimin e Ashurës[17]  tha: “E agjëronim ditën e Ashurës dhe i nxitnim fëmijët tanë që ta agjërojnë, u punonim lojëra nga leshi dhe kur qante ndonjëri për ushqim, u jepnim lojën të hutohen derisa të vinte koha e iftarit.”[18]

  1. Pëlqehet të agjërohet dita e nëntë dhe dita e dhjetë bashkërisht, si kundërshtim i çifutëve dhe krishterëve. Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Kur Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e agjëroi ditën e Ashurës dhe urdhëroi të agjërohet, shokët e tij i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët!’’ Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të, tha: “Vitin që vjen, me lejen e Allahut, ditës së dhjetë do t’ia bashkëngjisim edhe ditën e nëntë.”; mirëpo kur erdhi viti tjetër Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, ndërroi jetë.

Me një transmetim tjetër: “Nëse jam gjallë vitin që vjen, do ta agjëroj ditën e nëntë.”[19]

  1. Kujt i ik agjërimi i ditës së nëntë, mundet ta agjërojë ditën e dhjetë dhe të njëmbëdhjetën, për t’i kundërshtuar çifutët.
  2. Nga frika për ditët e muajit, se mund të jenë muaj të mangët, apo dyshimi se a ka hyrë saktësisht muaji Muharrem, apo nga frika e rënies në ndonjë gabim, si masë kujdesi dhe sigurie nuk ka gjë nëse ditës së Ashurës i shtohet një ditë para dhe një ditë pas, kështu që dita e nëntë në numër të bëhet e dhjeta në thelb të çështjes.
  3. Agjërimi i ditës së Ashurës te disa dijetarë është tri shkallë:

Shkalla e parë: Ashura të agjërohet tri ditë: dita e nëntë, e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë. Përcillet për këtë veprim një hadith, mirëpo i dobët[20], dhe përcillet se disa nga të parët tanë kësisoji kanë vepruar si masë kujdesi dhe sigurie.[21]

Shkalla e dytë: Ashura të agjërohet dy ditë: dita e nëntë dhe e dhjetë. Shumica e haditheve aludojnë në këtë lloj agjërimi dhe me të ka ardhur suneti.

Shkalla e tretë: Ashura të agjërohet vetëm ditën e dhjetë. Veçimi i ditës së dhjetë me agjërim lejohet dhe nuk urrehet të veprohet.[22]

  1. Nëse dita e Ashurës bie në ditën e xhuma apo të shtunë, nuk ka pengesë dhe nuk urrehet që njëra nga këto ditë të veçohet me agjërim. Myslimani e agjëron, sepse është ditë që ligjërohet agjërimi i saj, e jo se është ditë e xhuma apo e shtunë.[23]
  2. Atij që i kanë mbetur ditë nga Ramazani pa i agjëruar, nuk ka pengesë që ta agjërojë ditën e Ashurës me nijet të agjërimit vullnetar, e pastaj t’i kompensojë ato ditë nga Ramazani. Lejohet, sipas mendimit më të saktë, agjërimi vullnetar para se të kompensohen ditët e paagjëruara të Ramazanit, sepse është agjërim i përcaktuar që ikën me kalimin e ditës së vet, kurse te kompensimi i ditëve të humbura çështja është më e gjerë dhe ekziston më tepër hapësirë.
  3. Atij që i ka mbetur ndonjë ditë e Ramazanit pa e agjëruar dhe ditën e Ashurës e agjëron me nijet kompensimi të ditës së humbur të Ramazanit, agjërimi i tij pranohet si kompensim dhe shpresohet ta marrë shpërblimin e agjërimit të Ashurës, sipas mendimit të disa dijetarëve, e kështu me kompensimin e ditës së humbur të Ramazanit e merr edhe shpërblimin e agjërimit të ditës së Ashurës. Dijetari Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, është në mesin e atyre dijetarëve që e ka dhënë këtë fetva.[24]

Por ajo më e mira është që kompensimi i ditëve të humbura të Ramazanit të bëhet jashtë ditës së Ashurës, njëherit ta agjërojë ditën e Ashurës me nijet agjërimi vullnetar, e më pas t’i agjërojë ditët e humbura të Ramazanit, dhe kështu të bashkojë në mes të dy mirësive, mirësisë së kompensimit dhe mirësisë së agjërimit të ditës së Ashurës.

  1. Lejohet që dita e nëntë dhe e njëmbëdhjetë të agjërohet me nijet kompensimi të Ramazanit, ndërsa dita e dhjetë të agjërohet me nijet agjërimi të Ashurës, dhe kështu ta arrijë shpërblimin e kompensimit dhe shpërblimin e agjërimit vullnetar.
  2. Udhëtari përderisa nuk gjen vështirësi ta agjërojë ditën e Ashurës gjatë udhëtimit të tij, i lejohet të agjërojë.
  3. Gruas me menstruacione apo lehoni apo i sëmuri, agjërimin e Ashurës nuk duhet ta kompensojnë pasi të kalojë dita e saj, ngase është i ndërlidhur me ditë të veçantë dhe dispozita e saj mbaron me kalimin e ditës.[25]
  4. Ai që me arsye nuk e agjëron ditën e Ashurës, si: i sëmuri, gruaja me menstruacione apo gjidhënësja, dhe nga tradita e tij ka qenë agjërimi i Ashurës për çdo vit, ai do të shpërblehet sipas nijetit të tij. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me një hadith, tha: “Kur robi sëmuret apo është udhëtar, i shkruhen shpërblimet atij, sikurse ka punuar si vendas dhe i shëndoshë.”[26]
  5. Agjërimi i ditës së Ashurës ka qenë i patjetërsueshëm para se të detyrohet agjërimi i muajit Ramazan, e më pas u bë i pëlqyeshëm. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëronte të agjërohet dita e Ashurës para se të detyrohet agjërimi i Ramazanit, e kur agjërimi i Ramazanit u bë i patjetërsueshëm, atëherë agjërimi i Ashurës u bë sipas dëshirës, kush dëshironte e agjëronte dhe kush nuk dëshironte nuk e agjëronte.”[27]

Me një hadith tjetër: “Sot është Dita e Ashurës. Allahu nuk e bëri të patjetërsueshëm agjërimin e saj, por unë sot jam me agjërim. Kush do të agjërojë, le të agjërojë dhe kush do të mos agjërojë, le të hajë.”[28]

  1. Dita e Arafatit ka vlerë më të madhe se dita e Ashurës, agjërimi i saj i shlyen gjynahet e dy viteve.

Nga urtësitë që përmenden thuhet se dita e Ashurës bashkëlidhet me Musain, alejhi selam, kurse dita e Arafatit bashkëlidhet me Profetin Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe është nga veçoritë e fesë sonë, prandaj edhe ka vlerë më të madhe dhe ajo u shumëfishua me bereqetin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.

Si urtësi tjetër përmendet se dita e Arafatit bie në muajin Dhulhixhe që është muaj i shenjtë dhe para tij është muaji Dhulkade që është muaj i shenjtë dhe pas tij vjen muaji Muharrem që është muaj i shenjtë, në krahasim me ditën e Ashurës që nuk e ka këtë pozitë.[29]

Përmendet njashtu se Allahu në ditën e Ashurës e plotësoi begatinë mbi Musain duke e shpëtuar nga armiku i tij, kurse në ditën e Arafatit e plotësoi begatinë mbi Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e plotësuar mesazhin e tij. Arritja e plotësimit të begatisë në fe është më madhështore se arritja e begatisë në trup, kështu që epërsia në shpërblim ka ardhur si rrjedhojë e epërsisë në begati, që njëra është në fe e tjetra në trup.

  1. Dita e Ashurës është ditë madhështore nga ditët e Allahut, ashtu siç erdhi në hadith[30], ndërsa Allahu thotë: “…dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut….” (Ibrahim: 5). Në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij, prandaj edhe Musai, alejhi selam, në shenjë falënderimi e agjëroi këtë ditë. Po ashtu këtë ditë e agjëroi edhe Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe e pëlqeu agjërimin e saj duke e ndjekur kështu veprimin e Musait, alejhi selam, “dhe kjo kundrejt trajtimit të begatisë me falënderim në kohë që i bën ato të mëdha.”[31]

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur erdhi në Medine i gjeti çifutët duke e agjëruar ditën e Ashurës dhe u tha: “Çfarë është kjo ditë që ju po e agjëroni?” I thanë: “Kjo ditë është madhështore, Allahu në të e shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e fundosi në det faraonin dhe popullin e tij, – me një transmetim tjetër: “kjo është dita kur Allahu u ndihmoi Musait dhe bijve të israilit kundër faraonit”, dhe Musai këtë ditë e agjëroi në shenjë falënderimi dhe po e agjërojmë edhe ne.”

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Ne kemi më shumë të drejtë dhe jemi më meritorë për Musain sesa ju.”; kështu që Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e agjëroi këtë ditë dhe urdhëroi të agjërohet.”[32]

  1. Dita e Ashurës na e rikujton lidhshmërinë e thellë që e kanë në mes tyre myslimanët, edhe poqë se ndryshojnë kohët dhe largësitë e njëri-tjetrit, si dhe na e rikujton realizimin e patjetërsueshëm të vëllazërisë imanore në mes myslimanëve dhe realizimin e miqësisë për Allahun dhe profetin e Tij dhe robërit e Tij besimtarë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin.” (Et-Teube: 71)
  2. Dita e Ashurës është ditë falënderimi dhe ditë e kërkimit të shpëtimit dhe e fitores nga Allahu. Musait në këtë ditë i thanë: “Me të vërtetë, na zunë!” (Esh-Shuara: 61), kurse përgjigja e tij ishte: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. (Esh-Shuara: 62)
  3. Madhërimi i ditës së Ashurës ishte i njohur edhe në periudhën para Islamit, njerëzit e madhëronin dhe në të agjëronin si dhe e mbulonin Qabenë, ashtu siç tha Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj.[33]
  4. Dita e Ashurës madhërohet me agjërimin e saj në shenjë falënderimi ndaj Allahut për begatinë e shpëtimit dhe shkatërrimit të armikut, si dhe kjo ditë na i rikujton veprimet e Allahut ndaj armiqve të Tij dhe armiqve të profetëve të Tij.
  5. Ka njerëz që kanë shpikur shumë risi për Ashurën. Ndër to numërojmë atë që e veprojnë disa ithtar të risive të cilët këtë ditë e marrin si ditë zie, për shkak të vrasjes së Husejnit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ditë pikëllimi, vajtimi, grisjeje të rrobave, rrahjeje të fytyrës dhe bërtitjeje me zë të lartë. Kjo nuk ka të bëjë me fe fare, madje kjo është nga veprimet e periudhës para Islamit.

Me një hadith ka ardhur. “Ai i cili rrah faqet e veta, që gris rrobat dhe që kërkon e ndjek rrugët e sjelljet e xhahilijetit (padijes paraislame), një i tillë nuk është prej nesh.”[34] Besimtari gjatë fatkeqësive duron, e shpreson shpërblimin dhe është i kënaqur me caktimin e Allahut.

  1. Në këtë ditë shejtani luan dhe tallet me mendjet e disa njerëzve dhe i largon nga rruga e besimtarëve. Disa këtë ditë e shndërruan në ditë zie dhe ngushëllimi, disa të tjerë e shndërruan në festë dhe këndim, madje gjen të tillë që bëjnë manifestime dhe gatuajnë ëmbëlsira dhe ushqime enkas për këtë ditë dhe kjo është përngjasim me çifutët dhe të krishterët në madhështimin e kësaj dite. Kjo e tëra është nga risitë në fe.

 

E lusim Allahun që të na japë sukses dhe saktësi në atë që e do dhe është i kënaqur me të, falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Marrë nga libri: Sezonet e adhurimit

 

[1]  Fjala arabe “Hixhri” nënkupton emigrimin apo shpërnguljen e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prej Mekës në Medine në vitin 622 gregorian. Shpërngulja e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe myslimanëve prej Mekës në Medine është nisma e llogaritjes së kohës së kalendarit mysliman. Udhëheqësi i myslimanëve, Omer ibën el-Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ishte ai që në vitin 638 gregorian e vuri në përdorim kalendarin mysliman dhe ditën e emigrimit e bëri dita e parë e kalendarit hixhri. Viti hixhri i ka dymbëdhjetë muaj, ditë i ka 354, pra 11 ditë më pak se viti gregorian, sepse bazohet në lëvizjet e hënës, e jo të diellit. (sh.p.)

[2] Muajt e shenjtë janë katër: Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Këta muaj janë me shumë vlerë dhe të bekuar dhe në ta ndalohet rreptësisht lufta. Muaji i parë prej katër muajve të shenjtë është muaji Rexheb, kurse i fundit është Muharrem, edhe pse në kalendarin hixhri në radhitje muaji Rexheb është i shtati, kurse Muharrem është i pari. (sh.p).

[3] Buhariu (3197), Muslimi (1679).

[4] Muslimi (1163).

[5] “Letaif el-Mearif”, Ibën Rexheb (fq. 36).

[6] “Letaif el-Mearif”, Ibën Rexheb (fq. 34).

[7] “Letaif el-Mearif”, Ibën Rexheb (fq. 35).

[8] Tefsir et-Taberij (14/238), Tefsir Ibën Kethiri (4/148).

[9] Muslimi (1163).

[10] Letaif el-Mearif (fq. 33).

[11] Buhariu (1969, 1971), Muslimi (1156, 1157).

[12] Shih: Sherh en-Nevevij ala Muslim (7/37,55), El-Mexhmua (6/387).

[13] Shih: Sherh en-Nevevij ala Muslim (7/12), El-Mexhmua (6/383).

[14] Shih: Mesharik el-Envar”, Kadi Ijad (2/102), Keshaf el-Kana’a, El-Buhutij (2/338).

[15] Muslimi (1162).

[16] Shih: Sherh en-Nevevij ala Muslim (3/113, 8/51), El-Mexhmua (6/382).

[17] Në fillim ka qenë detyrim të agjërohet, më vonë kur u bë i detyruar agjërimi i muajit të Ramazanit, agjërimi i Ashurës u la i lirë, kush dëshironte e agjëronte, e kush dëshironte e linte. (sh.p).

[18] Buhariu (1960), Muslimi (1136).

[19] Muslimi (1134).

[20] Fjalët e hadithit janë këto: “Agjëroni ditën e Ashurës, kundërshtoni çifutët në këtë ditë duke e agjëruar një ditë para apo pas.” Me një transmetim tjetër: “Agjëroni një ditë para dhe një ditë pas.” Shënon imam Ahmedi (2154), Bejhakiu në el-Kubra (4/287). Hadithi është es-Silsiletu ed-Daife (4297), dhe hadithin e kanë vlerësuar si të dobët verifikuesit e haditheve të Musnedit të imam Ahmedit, ndërsa shejh Ahmed Shakir e vlerësoi si të mirë zinxhirin e hadithit.

[21] Letaif el-Mearif (fq. 52).

[22] Shih: Zadul Mead, Ibën el-Kajimi (2/72), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (4/246).

[23] Shih: Fet’hul Barij (4/234), Fetava Ibën Baz (15/414), Fetava Ibën Uthejmin (20/58).

[24] Shih: Fetava Ibën Uthejmin (20/48).

[25] Shih: Fetava Ibën Uthejmin (20/43).

[26] Buhariu (2996).

[27] Buhariu (1592), Muslimi (1125).

[28] Buhariu (2003), Muslimi (1129).

[29] Shih: Bedaiu el-Fevaid (4/211), Fet’hul Barij (4/249).

[30] Hadithi: “Ashura është ditë nga ditët e Allahut.” Shënon Muslimi (1892).

[31] Letaif el-Mearif (fq. 96), me disa ndryshime të lehta.

[32] Buhariu (3943), Muslimi (1130).

[33] Buhariu (1893, 1592), Muslimi (1125).

[34] Buhariu (1294), Muslimi (103).