شهر-محرم-الحرام-سنة-2020

MUAJI DHULKADE

  1. Muaji Dhulkade është i njëmbëdhjeti me radhë në kalendarin hixhri. Është quajtur me këtë emër, sepse pushonin nga luftërat, betejat dhe luftimet (shkaku se është nga muajt e shenjtë ku ndalohet lufta) dhe përgatiteshin për në haxh.[1]
  2. Muaji Dhulkade është nga katër muajt e shenjtë. Tre nga ta vijnë në varg, Dhulkade (është i pari nga muajt e shenjtë), Dhulhixhe, Muharrem dhe i fundit muaji Rexheb. Allahu thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur i krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë.” (Et-Teube: 36)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin me të, tha: “Koha (viti) është kthyer përsëri siç ka qenë në fillim kur Allahu i krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër janë të shenjtë, tre nga ta janë radhazi: Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb është ndërmjet muajit Xhumada dhe Shaban.”[2]

  1. Këta katër muaj të shenjtë, ku në mesin e tyre bën pjesë edhe muaji Dhulkade, janë muaj të mëdhenj tek Allahu. Në to ndalohet dëmtimi i vetes me bërjen e mëkateve dhe tejkalimin e kufijve, ashtu siç Allahu thotë: “Prandaj, mos i bëni vetes dëm.” (Et-Teube: 36); do të thotë mos i bëni dëm vetes në këta muaj, sepse mëkati në këta muaj është më i rëndë dhe më i madh në peshë, sesa mëkati që bëhet në muajt e tjerë. Padrejtësia dhe bërja e mëkatit, janë të ndaluara në të gjithë muajt dhe jo vetëm në muajt e shenjtë, mirëpo shkaku i madhështisë dhe shenjtërisë që e kanë këta muaj tek Allahu, bërja e mëkatit në to është më e ndaluar.

Katade, Allahu e mëshiroftë, tha: “Padrejtësia që bëhet gjatë muajve të shenjtë është më e madhe si gabim dhe gjynah karshi padrejtësisë që bëhet gjatë muajve të tjerë, edhe pse padrejtësia si mëkat është i madh në çdo kohë dhe në çdo gjendje, por Allahu madhështon nga çështja e Tij çfarë të dëshirojë.”[3]

  1. Arabët në kohën para Islamit e madhështonin dhe e respektonin tepër Tokën e Shenjtë (Meken) dhe muajt e shenjtë, prandaj në të nuk frikësonin njeri, nuk kërkonin hakmarrje me derdhjen e gjakut ose shpagim, derisa edhe ndonjëri kur e takonte vrasësin e prindit ose fëmijës ose vëllait, në muajt e shenjtë ose në Qabe, nuk i hakmerrej, as nuk e ngacmonte dhe as që e ngritte dorën kundër tij.[4]
  2. Myslimani detyrohet t’i nderojë muajt e shenjtë duke i respektuar në ta kufijtë e Allahut, me kryerjen e detyrimeve dhe zbatimin e obligimeve të Tij, me përkujdesjen për t’iu nënshtruar dhe për ta adhuruar ashtu siç e bën të kënaqur Allahun, dhe duke qenë i kujdesshëm nga dëmtimi i vetvetes me shkeljen e ndalesave të Allahut, veprimin e veprave që e detyrojnë zemërimin e Allahut dhe tejkalimin e kufijve të Tij, veçanërisht gjatë këtyre muajve po edhe gjatë muajve të tjerë në përgjithësi.
  3. Dhulkade është nga muajt e Haxhit. Allahu thotë: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.” (El-Bekare: 197) Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Muajt e haxhit janë: muaji Sheval, Dhulkade dhe dhjetë ditët e para të Dhulhixhes.”[5]
  4. Në muajin Dhulkade pëlqehet kryerja e umres, duke e ndjekur kështu të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili gjatë jetës së tij i ka bërë katër umre dhe të gjitha kanë qenë në muajin Dhulkade. Asnjëherë nuk ka bërë umre në ndonjë muaj tjetër pas emigrimit të tij në Medine.

– Umre nga Hudejbije (ose në kohën e Hudejbijes) në muajin Dhulkade, në viti 6 hixhri.

– Umre një vit më vonë në muajin Dhulkade, në vitin 7 hixhri (njihet si Umretu El-Kada).

– Umre nga Xhirana, ku i shpërndau plaçkat e luftës Hunejnit, në muajin Dhulkade, në vitin 8 hixhri (viti i çlirimit).

– Umre bashkë me Haxhin e Lamtumirës). Në ihram hyri në Dhulkade të vitit 10 hixhri, ndërsa e kreu në Dhulhixhe, për shkak se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, haxhin që e bëri ishte haxhi kiran.[6]

  1. Kryerja e umres në Dhulkade është më e vlefshme sesa kryerja e umres në muajt e tjerë, përveç ajo e muajit Ramazan,[7] ku umreja në të ka shpërblim më të madh sesa në muajt e tjerë, bazuar në hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin (në shpërblim) ose me kryerjen e haxhit me mua (d.m.th. me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të).”[8]

Përcillet se kishte disa nga të parët tanë që e parapëlqenin kryerjen e umres në Dhulkade dhe Sheval sesa në Ramazan, dhe ndër ta ishte Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, dhe Ataja, Allahu e mëshiroftë.[9]

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ishte i lëkundur në mes këtyre dy mendimeve dhe tha: “Allahu për të Dërguarin e Tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i zgjodhi kohët më të vlefshme dhe ato më meritoret për ibadet gjatë jetës së tij. Umren e bëri në muajt e haxhit kur bëhet edhe kryerja e haxhit. Këta muaj Allahu i veçoi me kryerjen e këtij ibadeti dhe i bëri të jenë periudha e tij. Umreja është haxh i vogël, prandaj koha më e mirë për kryerjen e saj janë muajt e haxhit, ndërsa Dhulkade është muaji i mesëm i tyre. Kjo është ajo që në të kërkojmë nga Allahu mirësinë dhe zgjedhjen e drejtë.[10]

  1. Pëlqehet agjërimi në muajin Dhulkade, por jo të mendohet se ditët e tij janë të veçanta me vlefshmëri dhe specifikë vetëm pse muaji është nga muajt e shenjtë. Në përgjithësi në muajt e shenjtë pëlqehet agjërimi, bazuar në hadithin: “Agjëroji disa ditë dhe braktisi disa ditë të tjera nga muajt e shenjtë.”[11]

Përcillet se disa nga të parët tanë të mirë kanë agjëruar në të, si: Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, El-Hasan El-Basrij, Allahu e mëshiroftë, dhe Sufjan Eth-Theurij, Allahu e mëshiroftë, dhe ky është mendimi i shumicës së fukahave (juristëve islamë).[12]

  1. Në muajin Dhulkade kanë ndodhur disa ndodhi të mëdha, ndër to: Premtimi i Allahut për Musain, alejhi selam, ku Allahu thotë: “Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh…” (El-Earaf: 142)

Shumica e komentuesve të Kuranit thonë se tridhjetë net janë muaji Dhulkade, ndërsa dhjetë të tjerat janë dhjetë ditët e Dhulhixhes. Kështu thanë Muxhahidi, Mesruki, Ibën Xhurejxhi, Allahu i mëshiroftë, si dhe përcillet për Ibën Abasin, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Pasi u plotësuan dyzet ditë takimi u bë në ditën e Kurban Bajramit ku Allahu i foli Musait, alejhi selam.[13]

  1. Ndodhi tjetër ishte beteja e njohur si “bedr el-meu’id – beteja e takimit në Bedr”[14] ose “bedr es-sugra – Bedrit të vogël” e cila ndodhi në vitin 4 hixhri në muajin Dhulkade. Ebu Sufjani u pati premtuar myslimanëve se do të takohen sërish për luftim një vit pas luftës së Uhudit, mirëpo nuk erdhi në takimin e premtuar. [15]
  2. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e martoi Zejneb bint Xhehsh, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, në vitin 4 hixhri në muajin Dhulkade. Për të zbriti ajeti i hixhabit (mbulesës).[16]
  3. Lufta e Hendekut (El-Ahzab) ndodhi në vitin 5 në muajin Dhulkade. Disa të tjerë thonë që ndodhi në muajin Sheval.[17]
  4. Lufta e Beni Kurejdhas ndodhi në vitin 5 në muajin Dhulkade. Disa të tjerë thonë që ndodhi në muajin Sheval.[18]
  5. Marrëveshja e Hudejbijes ishte në vitin 6 në muajin Dhulkade.[19] Këtë marrëveshje Allahu e quajti “fitore e qartë”, ashtu siç përcillet se Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për ajetin: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë.” (El-Fet’h: 1), tha: “Kjo fitore është marrëveshja e Hudejbijes.”[20]

Të këtij mendimi janë shumica e komentuesve të Kuranit.[21]

E lusim Allahun që të na japë mbarësi në shfrytëzimin e këtij muaji, në adhurimin e Tij si dhe gjatë gjithë muajve të tjerë.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

[1] Shih: Lisanul Arab (3/357), Tefsir Ibën Kethir (4/148).

[2] Buhariu (3197), Muslimi (1679).

[3] Tefsir et-Taberij (14/238), Tefsir Ibën Kethiri (4/148).

[4] Shih: Tefsir Et-Taberij (2/521, 11/440), El-Kurtubij (6/326).

[5] Buhariu e ka përmendur “Mualakan” në Sahihin e tij (2/141) në formë të vërtetuar.

[6] Shih: Sahih El-Buharij (1778), Sahih Muslim (1253), Sherh En-Nevevij ala Muslim (8/235), Tefsir Ibën Kethir (1/531).

[7] Shih: Mexhmua Fetava Ibën Baz (17/431).

[8] Buhariu (1863), Muslim (1256).

[9] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 259).

[10] Zadul Mead (2/91).

[11]Ebu Davud (2428), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të dobët.

[12] Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 119), El-Meusua El-Fikhije (28/95).

[13] Tefsir Et-Taberij (10/414), Ibën Kethir (3/468).

[14] E ka marrë këtë emër shkaku se Ebu Sufjani kërkoi nga myslimanët dyluftim dhe të takohen një vit pas luftës së Uhudit dhe myslimanët e pranuan. Kur erdhi koha e takimit, myslimanët u përgatitën, kurse Ebu Sufjani u nis prej Mekës derisa arriti në Dhahran ose Asfan, pastaj kërkoi nga njerëzit e tij të kthehen me arsye se ky vit është viti i thatësirës. (sh.p.)

[15] El-Megazij, Imam El-Vakidij (1/384).

[16] Shih: El-Isharetu ila siretil Mustafa, imam Muglatij (fq. 252), El-Muhtesar El-Kebir fi sireti Er-resul. Ibën Xhema’ (fq. 98).

[17] Ujunul Ether, Ibën Sejidi Nas (2/83), El-Isharetu ila siretil Mustafa, imam Muglatij (fq. 259).

[18] El-Megazij, Imam El-Vakidij (2/496), Es-Siretu En-Nebevije, Ibën Hisham (2/279), El-Bidaje ue En-Nihaje, Ibën Kethir (8/10).

[19] Shih: Es-Siretu En-Nebevije, Ibën Hisham (2/308)

[20] Buhariu (4834).

[21] Shih: Tefsir El-Bagavij (7/296), Ibën Kethir (7/325).

Pjesë nga libri “Sezonet e adhurimit” (e përkthyer në shqip)

Dr. Muhamed El-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu