
MPJ, qytetarëve: Shmangni udhëtimet përmes territorit të Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka lëshuar një apel për qytetarët e Kosovës, duke u kërkuar që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë.
Sipas MPJ-së, autoritetet serbe kanë shtuar rrezikun e ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare ndaj qytetarëve kosovarë.
Ministria thekson se situata mund të krijojë pasiguri për ata që kalojnë në Serbi, prandaj u bëhet thirrje qytetarëve të veprojnë me kujdes dhe të marrin masa paraprake për të shmangur rreziqet.
”Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
Një thirrje të njëjtë e ka bërë edhe kryeministri Albin Kurti para dy ditësh.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt territorit të Serbisë pasi ka indikacione për rrezikim nga provokime dhe ndalime arbitrare nga autoritetet serbe të qytetarëve tanë”, tha ai.