Rtv Pendimi

MOS I ZMADHO VËREJTJET ANËSORE

Gjatë pushimeve verore një organizatë më organizoi një kurs edukativ. Ishte një prej kurseve më të vizituara dhe që ngjalli interesim. Ajo që ma tërhoqi vëmendjen dhe më pëlqeu ishte organizimi i mrekullueshëm prej organizatorëve.

Kursi i përmbante dy kohë: të sabahut dhe të mbrëmjes. Në secilën kohë trajtoheshin tema të ndryshme.

Pjesëmarrja në kohën e sabahut ishte më e madhe dhe interesimi më i gjallë. Tema e kursit lidhej me edukimin e fëmijëve, kështu që i pakontestueshëm ishte fakti se një pjesë e madhe e kursit kishte lidhshmëri të madhe me veçoritë e zhvillimit dhe përmirësimit të sjelljes. Këto tema kanë lidhje më shumë me psikologjinë sesa me edukimin dhe zbatimin e saj.

Në mesin e të pranishmëve kishte pedagoge të cilat punonin në kopshtet e fëmijëve dhe psikologe. Ato m’i dhanë disa vërejtje rreth aspektit shkencor në profesionin e tyre.

Në përgjithësi, vërejtjet erdhën si pasojë e disa gabimeve të mia dytësore dhe pa ndikim, sikur që ndërlidhen me detajet e veçorive të zhvillimit apo detajet e mësimit dhe përmirësimit të sjelljes etj.

Në shumicën e rasteve jam i ndjeshëm nga vërejtjet e të tjerëve, jo që ato nuk i pranoj, por lënë gjurmë në veten time. Për më qartë, ato më bëjnë të ndihem se ekziston një lloj pakënaqësie ndaj asaj që e prezantoj, qoftë në formë të shkruar apo auditive.

Vërejtjet e tyre lanë gjurmë të thella tek unë dhe m’u dukën të mëdha. Kjo lindi në veten time ndjenjën e dështimit.

Në sabahun e ditës së nesërme fola rreth temës dhe kërkova falje nga të pranishmit, meshkuj dhe femra, për lëshimet dhe gabimet që i kisha bërë.

Mirëpo, më befasoi reagimi i të tjerëve të cilët kishin vërejtjet e tyre për vërejtjet e para, ata e shihnin se ato ishin pak të stërmadhuara.

Të pranishmit ishin prej të dy gjinive, meshkuj dhe femra, porse gjinia femërore ishin më shumë. Në fund të kursit organizatorët e zhvilluan një anketë, ku të gjithë ishin shprehur se kishin dalë të kënaqur dhe kishin përfituar nga mësimet. Kjo më dha qetësi dhe ndjeva në vete se puna ime paska qenë e pranuar dhe me ndikim.

Ky rast ma kujtoi një mik timin të respektuar i cili e kishte zakon t’i shikonte gjërat me llupë dhe të kritikonte tepër. Jo që e kishte moralin e keq apo dëshironte t’i përcillte të metat e tjerëve, assesi nuk bëhej fjalë për këtë, por karakterin e kishte të tillë. Madje, disa prej nxënësve të tij ishin ndikuar prej tij dhe e kishin marrë këtë tabiat. Në një organizim që e pata organizuar unë, megjithëse nuk isha i pranishëm aty, morën pjesë disa nxënës të tij e, kur u takova më vonë me mikun tim, ma dha një listë të gjatë të vërejtjeve që ia kishin përcjellë nxënësit e tij. Kjo më mërziti derisa u brengosa për nivelin e organizimit. Mirëpo, kur u takova me vonë me organizatorët e tjerë, e pashë që kishte një stërmadhim në vërejtjet e nxënësve të mikut tim.

– Është me rëndësi të madhe të kujdesemi për vërejtjet e të tjerëve, të përfitojmë prej tyre, ta zhvillojmë interpretimin tonë dhe të mundohemi t’i rishikojmë veprat të cilat i veprojmë nën hijen e atyre vërejtjeve që i dëgjojmë. Megjithatë, duhet të kemi kujdes nga dy gjëra:

E para: Zmadhimi i gabimeve të vogla që nganjëherë mund të burojnë prej nesh. Një pjesë e madhe e këtyre gabimeve janë pjesë e pandashme e natyrës njerëzore dhe s’mund t’u iket.

E dyta: Zmadhimi i vërejtjeve individuale të cilat na vijnë nga disa persona. Kjo shfaqet shpesh në takimet e diskutimeve dhe në fushëveprime, kur disa njerëz paraqesin vërejtje rreth një çështjeje të caktuar, e cila mund të jetë, thjesht, një pikëpamje dhe, ndoshta, e ka një anë të së vërtetës që josh për ta pranuar, mirëpo e stërmadhon. Ka njerëz që natyrën e kanë të tillë, i zmadhojnë vërejtjet e tyre dhe i shfaqin të stërmadhuara, kështu që pikëpamja e tyre përballë rrethit të diskutimit, apo për temën dhe projektin, shndërrohet në pikëpamje negative.

Në anën tjetër, ekziston një pamje tjetër e cila shfaqet në disa forma, në atë të frikës së madhe nga kritikat dhe vërejtjet, apo vërejtjet nuk i merr parasysh fare, me pretekst se gabimi është natyrë njerëzore dhe se vërejtjet janë rreth gjërave dytësore e jo rreth atyre parësore etj.

Të dy drejtimet nuk janë si duhet, nuk shërbejnë që kritika të përdoret pozitivisht dhe të përfitohet në përmirësim dhe zhvillim.

Problemet e tilla mund t’i tejkalojmë nëse kujdesemi t’i dëgjojmë të tjerët me baraspeshë, duke e vendosur kritikën në vendin e duhur. Nuk duhet ta zmadhojmë kritikën derisa të shndërrohet në pengesë për ne dhe nuk duhet të dominojë mbi ne arsyetimi e ta injorojmë çdo kritikë.

– Nga ky rast mësova se gjatë trajtimit të vërejtjeve të të tjerëve me rëndësi është të dallojmë në mes vërejtjeve sekondare të detajuara dhe vërejtjeve thelbësore të cilat ndikojnë në thelbin e temës. Kjo gjë është e njëllojtë në të gjitha situatat e jetës. Si shembull, prishja e motorit të makinës nuk është sikur prishja e magnetofonit. Prishja e kondicionerit të ajrit në një vend shumë të nxehtë, apo prishja e llambës natën nuk është sikur prishja e enës së ujit të posaçëm për pastrimin e xhamit. Kështu është edhe në botën e ideve dhe projekteve; vërejtjet thelbësore kërkojnë të trajtohen me ndjeshmëri të madhe dhe t’u kushtohet kujdes i veçantë, ndërsa vërejtjet e detajuara mund të jenë të dobishme dhe të kontribuojë zgjedhja e tyre në përmirësimin e punës, mirëpo nuk prekin në thelbin dhe vlerën e punës.

– Mësova se me rëndësi është të kujdesem për zbatimin e mjeteve objektive dhe mësova gjatë diskutimit si të dalloj diskutimin racional prej atij që është vetëm këndvështrim i dikujt. Trajtimi i pikëpamjeve të njerëzve duhet të jetë me baraspeshë, sepse, nëse i pranojmë ato të gjitha, do të na bëjë të ballafaqohemi me mendime që nuk përfundojnë, sikur që nëse i refuzojmë të gjitha, do të na privojë nga shumë njohuri dhe përvoja të ndryshme njerëzore.

– Po ashtu, mësova se zbatimi i mjeteve objektive të prera është e rëndë në shumicën e situatave. Në raste të tilla përpara nesh nuk mbetet përveçse t’i trajtojmë pikëpamjet, derisa të arrijmë deri në një shkallë të përafrimit me situatën e drejtë që hulumtojmë pas saj.

– Mësova se paanshmëria dhe objektivizmi nuk janë pengesë që të shikohet në disa vërejtje dhe komente që burojnë nga të tjerët. Vërejtja e cila del nga një person që së tepërmi është i dhënë pas përcjelljes së detajeve dhe që kritikon shumë, nuk është e njëjtë me vërejtjen e tjetrit që nuk është si ai.

Nuk janë të njëjtë i ndjeshmi që e ngarkon veten me parashikimin e rezultateve negative, me atë që i vështron gjërat drejt e me objektivizëm.

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH