[There are no radio stations in the database]

Mbi 900 krime islamofobe në Gjermani nga janari në shtator

Qeveria gjermane njoftoi të hënën se nga janari deri në shtator në vend janë raportuar 930 krime me natyrë islamofobe.

Në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga “Partia e Majtë” (Die Linke) mbi krimet e urrejtjes ndaj muslimanëve, qeveria bëri të ditur se në Zyrën Federale të Policisë Kriminale janë raportuar 469 krime islamofobe në tremujorin e parë të vitit 2025, 316 në tremujorin e dytë dhe 145 në të tretin.

Për më tepër, në tremujorin e parë u identifikuan 283 të dyshuar, në të dytin 172, ndërsa në të tretin 85. Gjithsej u ndaluan pesë persona, por ndaj tyre nuk u lëshua asnjë urdhër-arresti.

Nga periudha janar-shtator u kryen 31 sulme ndaj xhamive, ku si pasojë e këtyre akteve kriminale mbetën të lënduar 37 persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Qeveria sqaroi se krimet islamofobe përfshinin nxitje publike të urrejtjes, fyerje, kërcënime, përdorim të simboleve të organizatave antikushtetuese, dëmtim të pronës dhe lëndime trupore, ku shumica dërrmuese e krimeve janë kryer nga ekstremistët e djathtë.

Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës, me rreth 5.5 milionë muslimanë në mesin e afro 85 milionë banorëve të saj.

Viteve të fundit, vendi ka parë një rritje të racizmit dhe dhunës anti-muslimane, të nxitura nga partitë dhe lëvizjet politike të ekstremit të djathtë, përfshirë partinë opozitare “Alternativa për Gjermaninë” (AfD). /Tesheshi.com/


[There are no radio stations in the database]