
Marion Maréchal kundër ndërtimit të xhamisë,donacionet rriten pas akuzave
Kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë francez, Identité-Libertés, Marion Maréchal, ka vizituar qytetin e Strasburgut për të komentuar ndërtimin e xhamisë më të madhe në Evropë, një projekt i shoqatës turke Mili Görüs. Në një video të publikuar më 30 nëntor, Maréchal kritikon ndërtimin dhe akuzon deputetët lokalë për përfshirje në “korrupsion” me qëllim blerjen e elektoratit.
Maréchal në deklaratën e saj tha: “Ju mendoni se jemi në Stamboll, por jo, ne jemi në Strasburg. Këtu pas meje ndodhet xhamia më e madhe e Evropës me dy minare, një projekt që ka kushtuar 32 milion euro.” Ajo shtoi se Mili Görüs, që ka 71 xhamija në Francë dhe 500 në Evropë, promovon një Islam separatist dhe shërben për ndikimin e presidentit turk, Erdogan, mbi komunitetin turk në Francë.
Si pasojë e deklaratave të Maréchal, përfaqësuesi i shoqatës turke në Strasburg, Ejup Shahin, raportoi se ndihmat financiare për ndërtimin e xhamisë janë shtuar ndjeshëm. Brenda 24 orëve pas publikimit të videos, janë mbledhur rreth 10.000 euro, ndërsa pas disa ditësh shuma ka arritur 265.684 euro dhe vazhdon të rritet. Shahin tha se është ndjerë i lënduar nga deklaratat, por falënderon publikisht Maréchal për rritjen e vëmendjes ndaj projektit.
Ky incident pasqyron tensionet aktuale politike dhe fetare në Francë, ku ndërtimi i xhamive të mëdha shpesh bëhet objekt debate dhe polarizimi ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore dhe politike.