[There are no radio stations in the database]

Maqedoni e Veriut, diplomat e medresesë pranohen njëjtë si çdo diplomë tjetër e shkollës së mesme

Ministri i Çështjeve Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, ka bërë të ditur se qeveria ka miratuar një propozim ligji që, ndër të tjera, mundëson edhe diplomat e Medresesë Isa Beu – Shkup të pranohen njëjtë si diplomat e shkollave të tjera të mesme në vend, duke pretenduar zgjidhjen e problemit të kësaj shkolle fetare, e cila po përballet me problemin e njohjes së diplomave, transmeton Anadolu.

Në rrjetet sociale, ministri Murtezani njoftoi se qeveria sapo ka miratuar Propozim Ligjin për Shkollat e Mesme të Komuniteteve Fetare.

“Ky propozim ligj mundëson që diplomat e medresesë të pranohen njëjtë si çdo diplomë tjetër e secilës shkollë të mesme në Maqedoninë e Veriut. Ditë e madhe për besimtarët në vendin tonë, ditë e madhe për medresenë”, tha Murtezani.

Medreseja Isa Beu është një shkollë fetare islame e mesme që funksionon në Shkup nën administrimin e Bashkësisë Fetare Islame (BFI), diplomat e të cilës nuk janë njohur si të barasvlefshme me diplomat shtetërore, sepse Medreseja Isa Beu nuk është pjesë e sistemit arsimor publik të rregulluar nga Ministria e Arsimit e vendit.

Nxënësit janë përballur me pengesa për studime të mëtejshme ose punësim në sektorin publik, edhe pse shpesh është deklaruar publikisht se çështja e njohjes së diplomave është rregulluar, por në realitet ajo ka mbetur e parregulluar.

Në fund të muajit prill, gjithashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut shfuqizoi një vendim për dhënien e miratimit për themelimin e Shkollës së Mesme Private Medreseja Isa Beu – Shkup, që u miratua nga qeveria më 26 mars të vitit 2024. Gjykata vlerësoi se vendimi i qeverisë ishte i paligjshëm dhe jo-kushtetues, pasi qeveria kishte dhënë pëlqimin e saj, përkatësisht i kishte lejuar BFI-së të jetë themeluese e një shkolle të mesme.


[There are no radio stations in the database]