[There are no radio stations in the database]

Maqedonci nga Turqia: Kosova po forcon rolin e saj strategjik në rajon

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me homologun e tij turk, Yaşar Güler, ku temë kryesore ishte bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Turqisë.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar mbi situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe mbështetjen që Kosova po merr nga Turqia.

“Takimi ishte jashtëzakonisht pozitiv. Diskutuam për mundësi të reja bashkëpunimi për ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Sipas Maqedoncit, pika më e veçantë e diskutimit ishte roli strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit, një projekt që pritet të rrisë ndjeshëm aftësitë e FSK-së.

“Kjo fabrikë do të mundësojë vetë-qëndrueshmëri logjistike për FSK-në dhe do të kontribuojë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, theksoi Maqedonci, duke shtuar se Kosova do të jetë në një pozitë më të mirë për të promovuar paqe dhe siguri në rajon.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve me Turqinë, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe u dakorduan për vazhdimin e këtij bashkëpunimi strategjik.


[There are no radio stations in the database]