[There are no radio stations in the database]

Makineritë serbe përfunduan në industrinë ushtarake ruse pas pushtimit të Ukrainës

Kompania serbe, Grindex, ka furnizuar me makineri kompani ruse në vitet pas pushtimit rus të Ukrainës, të cilat më pas i kanë përcjellë ato tek ndërmarrje të industrisë ushtarake ruse që janë nën sanksione, mëson Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL).

Të dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se prodhuesi i makinerive për përpunimin e metaleve nga Kikinda, në veri të Serbisë, pas vitit 2022 ka vazhduar eksportimin e pajisjeve në Rusi përmes kompanive ndërmjetëse, disa prej të cilave janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Nga marsi i vitit 2022 deri në mars të vitit 2025, në Rusi janë importuar makineri të prodhuesit Grindex, në vlerë prej rreth 27.5 milionë eurosh, tregojnë të dhënat e Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (HUR), të cilat i ka siguruar projekti hulumtues i Shërbimit ukrainas të REL-it, Schemes.

REL-i i ka marrë këto të dhëna nga HUR-i, pasi Grindex ishte përfshirë në bazën e tyre publike të të dhënave për kompanitë që furnizojnë me pajisje industrinë ushtarake të Rusisë.

Këtë e konfirmon edhe analiza e raporteve financiare dhe e bazave të të dhënave, e realizuar nga Systema, njësia hulumtuese e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë.

Grindex nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me eksportimin e makinerive në Rusi. Përgjigje nuk dhanë as kompanitë ruse që i kishin blerë ato.

Sipas HUR-it, aktualisht nuk dihen rrugët përmes të cilave janë dërguar makineritë e Grindexit, kompani që nuk është nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, SHBA-ja dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj qindra kompanive të kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë.

Serbia është një nga vendet e pakta kandidate për anëtarësim në BE që nuk iu është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Kjo e lehtëson tregtinë me kompanitë ruse, vlerëson Ela Skybenko, hulumtuese e lartë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Qendrën Ndërkombëtare për Biznes dhe të Drejtat e Njeriut.

“Megjithatë, Serbia ende ka ligje për kontrollin e eksporteve, përfshirë kontrollin e mallrave për përdorim të dyfishtë. Pra, kjo nuk do të thotë se i gjithë eksporti në Rusi është i lejuar”, thotë Skybenko për REL-in.

Në vitin 2025, Serbia miratoi një ligj të ri që kufizon eksportin e mallrave për përdorim të dyfishtë, pra pajisjeve që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.

Megjithatë, Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë, e cila lëshon lejet për eksportimin e mallrave për përdorim të dyfishtë, i tha REL-it se nuk i kishte lëshuar leje të tillë kompanisë Grindex.

“Ministria nuk është e njoftuar me programin e prodhimit dhe karakteristikat e produkteve të kompanisë Grindex”, thuhet në përgjigjen e saj.

Ministria shtoi se “nuk posedon të dhëna mbi bazën e të cilave do të mund të përcaktohej nëse makineritë janë objekt i kontrollit dhe nëse për to ekzistojnë kufizime eksporti”.

Ndërkaq, Administrata Doganore i tha REL-it se nuk kishte kryer asnjë “kontroll të mëvonshëm” të eksporteve të kompanisë Grindex.

Nga veriu i Serbisë drejt industrisë ushtarake ruse

Njëra prej kompanive ndërmjetëse që Grindex i ka furnizuar me makineri është Alfa Machinery Group, apo AMG, kompani ruse që merret me furnizimin e fabrikave me pajisje dhe makineri për përpunimin e metaleve.

AMG-ja u përfshi në listën e sanksioneve amerikane në vitin 2023, për shkak se furnizonte me pajisje industrinë ruse të mbrojtjes.

Ajo është në listën e sanksioneve të BE-së që nga dhjetori i vitit 2024, për shkak të mbështetjes që i ofron kompleksit ushtarako-industrial rus në luftën kundër Ukrainës.

Shërbimi i Inteligjencës së Ukrainës thekson se Grindex e kishte lidhur një kontratë me AMG-në në dhjetor të vitit 2022 për furnizimin me një makinë bluarëse CNC, ndërsa dorëzimi i makinerisë ishte bërë në kohën kur AMG-ja ishte tashmë nën sanksionet amerikane.

CNC-ja është një pajisje për bluarjen e materialeve, e cila kontrollohet përmes kompjuterit. Sipas të dhënave doganore, vlera e kësaj makinerie të eksportuar ishte rreth 778 mijë euro.

Sipas informacioneve të shërbimit ukrainas, AMG-ja më pas ia dorëzoi këtë makineri Ndërmarrjes së Makinerisë dhe Prodhimit, I. Rumjantsev, e cila prodhon pjesë për aeroplanë.

Kjo ndërmarrje është pjesë e sistemit shtetëror industrial rus, Rostec, i cili prodhon pajisje për aviacionin ushtarak dhe atë civil. Rostec është nën sanksionet amerikane që nga viti 2014, për shkak të asaj që Qeveria amerikane e kishte cilësuar si “përpjekje të vazhdueshme të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën Lindore”. Kompania u sanksionua sërish në vitin 2022, kur u përfshi edhe në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Në dokumentin e Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të SHBA-së, Rostec cilësohet si “gur themeli i sektorit rus të mbrojtjes, industrisë, teknologjisë dhe prodhimit”.

Shërbimi ukrainas evidenton edhe një kontratë tjetër të Grindexit me kompaninë AMG, të lidhur në vitin 2023, për furnizimin me një makinë CNC, e cila më pas përfundoi sërish në duart e Rostecut.

“Vlera e makinerisë është më shumë se 384 mijë dollarë amerikanë (342 mijë euro). Vendi nga ku u nis pajisja ishte qyteti i Kikindës në Serbi”, thuhet në dokumentin e parë nga REL-i.

Sipas të njëjtit dokument, makineria u importua në shkurt të vitit 2025, ndërsa vetëm dy muaj më vonë AMG-ja ia dorëzoi Ndërmarrjes së Agregateve Ufa, Hidraulika, e cila gjithashtu është pjesë e Rostecut të sanksionuar dhe prodhon pjesë për aviacionin.

Edhe vetë Hidraulika është në listën e sanksioneve të BE-së që nga viti 2025. Në arsyetimin për vendosjen e sanksioneve, ndër të tjera, thuhet se ajo i ofron mbështetje materiale ushtrisë ruse në frontin e luftës në Ukrainë. Mes tjerash, punëtorët e kompanisë prodhojnë rrjeta kamuflimi për ushtrinë ruse.

“Detyra kryesore e makinerisë së furnizuar nga Grindex është prodhimi i pjesëve të llojit piston, elemente të rëndësishme lëvizëse të sistemeve hidraulike dhe të karburantit me saktësi të lartë”, thuhet në përgjigjen e shërbimit ukrainas.

Bashkëpunimin mes kompanive AMG dhe Grindex e dëshmojnë edhe raportet financiare të siguruara nga baza ruse e të dhënave për subjektet afariste. Ndërkaq, lidhjet mes AMG-së dhe Rostecut, si dhe mundësia e një lidhjeje pronësore mes tyre, pasqyrohen në të dhënat e disponueshme.

Në raportin financiar të vitit 2023, AMG e kishte përmendur Grindexin si një nga furnizuesit e saj. Ndërkaq, në mesin e blerësve të saj ishin disa kompani që janë pjesë e Rostecut.

Në fund të vitit 2023, pronari përfundimtar i AMG-së ishte Jevgenij Karpov, ish-punonjës i një prej kompanive të Rostecut, fabrikës së motorëve Salyut.

Që nga viti 2023, AMG-ja ka paraqitur çdo vit deklarata importi për makineritë e Grindexit. Deklarata e fundit është paraqitur në maj të vitit 2026. Megjithatë, REL-i nuk ka informacione nëse makineria është importuar vërtet.

Bashkëpunim shumëvjeçar edhe me kompani nën sanksione

Produktet e Grindexit nga Serbia janë importuar edhe nga dy kompani të tjera që janë nën sanksionet amerikane, thuhet në dokumentin e shërbimit ukrainas.

Njëra prej tyre është Finval Energo, e cila merret me shitjen me shumicë të makinerive industriale. Ajo është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2024, për shkak të veprimtarisë së saj në sektorin e prodhimit rus. Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se Finval bashkëpunon me prodhues rusë të armëve.

Sipas shërbimit ukrainas, kjo kompani ka importuar makineri të Grindexit në vlerë prej rreth 12 milionë eurosh gjatë periudhës 2022–2025. Megjithatë, nuk është specifikuar se për cilat makineri bëhet fjalë dhe as se kujt i janë dorëzuar ato më pas. REL-i nuk ka informacione të pavarura që konfirmojnë nëse Grindex ka vazhduar bashkëpunimin me Finval Energo pas vendosjes së sanksioneve.

Që nga viti 2016, Finval Energo ka paraqitur çdo vit deklarata importi për makineritë e Grindexit. Deklaratat më të fundit janë paraqitur gjatë periudhës 2023–2024.

Finval Energo është pjesë e Grupit Finval, i themeluar në vitin 1991. Në mesin e klientëve të tij janë edhe kompani të industrisë së mbrojtjes, përfshirë prodhues të motorëve të aeroplanëve që veprojnë në kuadër të Rostecut, tregojnë raportet publike.

Bashkëpunimi i Grindexit me këtë kompani ka nisur shumë vite më parë. Ekspertët e kompanisë Finval e vizituan fabrikën e Grindexit në Serbi në vitin 2018, siç ishte bërë e ditur në ueb-faqen e Finvalit.

Me Grindexin bashkëpunon edhe kompania e sanksionuar Unimatik MSK, e cila gjithashtu furnizon me makineri industriale. Ajo është në listën e sanksioneve amerikane që nga viti 2024, për shkak të bashkëpunimit me sektorin ushtarako-industrial rus.

Pronari i saj, kompania Unimatic, është në listën e sanksioneve të BE-së që nga viti 2026, për shkak të “mbështetjes materiale për kompleksin ushtarako-industrial rus”.


[There are no radio stations in the database]