[There are no radio stations in the database]

LUHATJA E ZEMRËS

Çdo njeri i arsyeshëm nuk dyshon që myslimani bashkëkohor ka më shumë nevojë për mjetet e stabilitetit në fe se myslimani në kohën e selefit. Po ashtu, mundi që nevojitet për ta realizuar stabilitetin është më i madh, për shkak të kohës së vështirë, vëllezërve të rrallë, ndihmës së dobët dhe përkrahësve të paktë.

Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Do t’u vijë njerëzve një kohë, ku ai që kapet për fe dhe bën durim në të, i ngjason atij që është i kapur për gacë.”[1]

Kapja e sinqertë për fe dhe realiteti i saj është që njeriu të jetë i përqendruar në fenë e tij pavarësisht ndryshimit të gjendjeve dhe situatave; edhe pas njëzet vjetëve gjendja e tij të jetë e njëjtë sikur ajo e tashmja, thirrja të jetë e njëjtë, metodologjia e njëjtë, hallalli hallall, harami haram, thirrja në të mirë e njëjtë, ndalimi nga e keqja e njëjtë, pa ndryshuar gjë.

Lëre anash çështjen e ndryshimit të fetvasë, këtu nuk është për qëllim kjo mesele, sepse dijetarët e kanë rregulluar me normat e njohura, por këtu po bisedojmë për luhatjet dhe ndryshimet që nuk kanë mbështetje të saktë dhe të qartë.

Prej të kapurve për fe ka që kanë rënë në kaosin e luhatjes dhe laramanisë në fe, më herët ishin thirrës në fenë e Allahut, por tani janë zmbrapsur pas udhëzimit të tyre, kanë ndryshuar, luhaten në fe, pa peshore të qartë dhe pa metodologji të drejtë. Pikërisht këtu qëndron problemi.

Luhatja është nga tabiati i njeriut:

Ky lloj i luhatjes dhe i ndryshimit nuk është diçka e panjohur për tabiatin e njeriut. Zemra nga tabiati i saj rrokulliset dhe ndryshohet. Allahu është Ai, i Cili i rrotullon zemrat dhe pamjet.

Ebu Musa el-Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell për Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të ketë thënë: “Zemra e ka marrë emrin ‘kalb’ për shkak se luhatet, rrokulliset. Ajo është si shembulli i pendlës e varur në pemë dhe era e luhat lart e poshtë, sa nga një anë në anën tjetër.”[2]

Hadithi sqaron se nga cilësia e zemrës është luhatja e shpejtë e saj për shkak të rrethanave, sikur një pendël që era e luhat lart e poshtë në një tokë të shkretë pa ndërtim. Erërat në të janë më të fuqishme se në tokën që ka ndërtim!

El-Mikdad ibn el-Esued, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Pas atyre fjalëve që i dëgjova prej të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për asnjë njeri më nuk them, i mirë dhe i keq, derisa nuk e shoh se si do të jetë përfundimi i tij. I thanë: “E çfarë fjalësh dëgjove?” U tha: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të thotë: ‘Me të vërtetë zemra e birit të Ademit ndryshon më shpejt se uji që valon në tenxhere’.”[3]

Për këtë kuptim poeti u shpreh duke thënë:

Njeriu ka marrë emrin ‘insan’ për shkak se harron,

zemra ka marrë emrin ‘kalb’ për shkak se ndryshon.

Nxito pas së mirës dhe kujdes nga ndryshimi dhe fitnetë:

Ajo që e vështirëson edhe më tepër këtë çështje, si shtojcë e tabiatit[4] të zemrës që të ndryshojë, janë rastet e femohimit, lajthitjeve dhe zmbrapsjes pas udhëzimit në mesin e myslimanëve. Këto dukuri e bëjnë myslimanin që të ketë frikë nga to dhe e nxisin të shkojë pas mjeteve të përqendrimit  në fe, që nëpërmjet tyre të arrijë deri në një bindje më të sigurt.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nxitoni për vepra të mira para se të paraqiten fitnetë si nata e errët, ku njeriu gdhihet besimtar dhe ngryset jobesimtar, ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar. Do ta shesë ndonjëri prej jush fenë e tij për një kotësi të kësaj dynjaje.”[5]

El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, pas përmendjes së hadithit, tha: “Pasha Allahun! I kemi parë dhe me të vërtetë ata kishin fizionomi, por nuk kishin mend, kishin trup, por nuk kishin logjikë, injorantë dhe mendjelehtë që lehtë bien në fitne, gdhihen me dy dërhem dhe i zë mbrëmja me dy dërhem. E shet ndonjëri prej tyre fenë e tij sa vlera e një dhie.”[6]

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, në komentin e hadithit, thotë: “Për shkak të sprovave dhe turbullirave të shumta, njeriu ndryshon brenda ditës. Kjo është përmbysje dhe luhatje në fe.”[7]

Nëse e njeh të vërtetën me argument, përqendrohu në të, mos ndrysho dhe mos zëvendëso, mos u bëj kënaqësi për sytë e armiqve të Allahut dhe keqardhje për zemrat e myslimanëve.

Kujdes nga ndryshimi i shpejtë në këtë kohë të provave që jetojmë në të. I mjeri ti nëse frikësohesh prej armiqve të Allahut dhe i trembesh presionit të tyre.

Përmbysja e zemrës dhe rrotullimi i saj në mes së mirës dhe së keqes janë prej shenjave të pushtetit të Allahut mbi robërit. Allahu thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!” (El-Enfal: 24)

Ajeti shpjegon se nëse vonoheni dhe nuk i përgjigjeni me kohë thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit, mos jini të sigurt se Allahu nuk do të ndërhyjë në mes jush dhe zemrave tuaja e, pas kësaj, nuk do të keni mundësi që t’i përgjigjeni thirrjes. Ky është dënim për ju, për shkak se e braktisët përgjigjen, pasi e vërteta u qartësua dhe doli në dritë.

Ibn el-Kajim, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ajo që kuptohet në këtë ajet është se Allahu ndërhyn në mes besimtarit dhe femohimit, në mes jobesimtarit dhe imanit, ndërhyn në mes adhuruesve të Tij dhe bërjes mëkat, në mes gjynahqarëve dhe adhurimit të Tij. Ky është komenti i Ibn Abasit dhe shumicës së komentuesve të Kuranit.”[8]

Sufjan eth-Theurij, Allahu e mëshiroftë, u pyet: “Si e njohe Zotin tënd?” U përgjigj: “Me shuarjen e vendosmërisë dhe anulimin e pikësynimit[9].” [10]

Kur një zemër e luhatin erërat e epsheve dhe dyshimeve, përforcimi i saj është çështje e rëndë. Pas mirësisë së Allahut dhe ndihmës së Tij, kjo çështje kërkon mjete të mëdha që t’i plotësojë nevojat e madhësisë së detyrës dhe vështirësisë së saj.

Për këtë shkak i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e përmendte Allahun shpesh me këtë cilësi si dhe e lavdëronte me pushtetin e Tij.

Abdullah ibn Omer, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, tha: “Më shumë që betohej i Dërguari Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte: ‘Jo, pasha Atë, që i rrotullon zemrat’.”[11]

Frika prej luhatjes në fe dhe lutja e Allahut për përqendrim:

Pasi udhëzimi në rrugën e drejtë dhe përqendrimi në të llogariten mirësia më e madhe e Allahut për robin, në anën tjetër zmbrapsja pas udhëzimit, lajthitja nga e vërteta, devijimi pas udhëzimit në rrugën e drejtë, llogaritet fatkeqësia më e madhe që njeriu provohet me të në dynja. Pastaj kjo e privon njeriun prej shumë të mirave dhe e çon në pikëllim dhe dënimin e tij.

Pasi rreziku i luhatjes në fe qenka në këtë shkallë, punën më të rëndësishme që njeriu duhet ta bëjë në këtë rast është kthimi i tij kah Allahu, paraqitja e nevojës për Të, lutja e Tij që ta ruajë nga luhatja në fe dhe t’ia përforcojë zemrën në udhëzim dhe rrugë të drejtë.

Për këtë shkak i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte njeriu më i dijshëm për Allahun dhe që më së shumti i frikohej Allahut. Ai vazhdimisht i lutej Allahut ta forconte në udhëzim, ta ruante nga luhatja në fe dhe ta ruante nga pakësimi në ibadet dhe iman.

Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e shpeshtonte lutjen: ‘O Rrotullues i zemrave, përqendroma zemrën time në fenë Tënde.’ E i thashë: O i Dërguar i Allahut! Ne ty të besuam dhe i besuam asaj që ti erdhe me të (Islamit), a frikohesh për ne? Tha: ‘Po. Me të vërtetë, zemrat e njerëzve janë mes dy gishtërinjve prej gishtërinjve të Allahut, i rrotullon si të do Ai’. ”[12]

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Çdoherë që i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ngritte kokën e tij kah qielli, thoshte: ‘O Ndryshues i zemrave, përqendroje zemrën time në adhurimin Tënd’.”[13]

Abdullah ibn Serxhis thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur nisej për udhëtim, kërkonte mbrojtje nga vështirësitë e udhëtimit, nga kthimi në shtëpi me trishtim, nga zmbrapsja pas udhëzimit, nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi dhe nga shikimet qëllimkëqija në familje dhe pasuri.”[14]

Fjalët “nga zmbrapsja pas udhëzimit”[15], nënkuptojnë se kërkoj mbrojtje nga kufri (femohimi) pas imanit, ose nga mëkatet pas punëve të mira, ose nga pakësimi i imanit pas shtimit të tij.

Lutja e Allahut për përqendrim në fe ishte tradita e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe këtë rrugë e pasuan të thelluarit në dijeni, për të cilët Allahu thotë: “(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe na jep mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” (Ali Imran: 8)

Kjo është gjendja e të thelluarve në dijeni me Zotin e tyre. Kjo është gjendja që i përshtatet imanit, i cili buron nga rehatia me fjalën e Allahut dhe premtimin e Tij, me njohjen e mëshirës dhe mirësisë së Tij, me urtësinë dhe të fshehtën e caktimit të Tij. Zemra e besimtarit e kupton vlerën e udhëzimit pas devijimit dhe të përqendrimit pas lëkundjes.

Muhamed el Munexhidi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri “Të luhatshmit” (Libri është në gjuhën shqipe)

 

[1]Tirmidhiu (2260), shejh Albani e saktësoi hadithin në Sahih el-Xhami’ (8002).

[2] Imam Ahmedi (19677), shejh Albani e saktësoi hadithin (2365).

[3] Imam Ahmedi (23867), shejh Albani e saktësoi hadithin në Sahih el-Xhamia’ (5147).

[4] Zakon, ves, huq. (sh.p.)

[5] Muslimi (186).

[6] Imam Ahmedi (18428).

[7] Sherh en-Nevevij ala Muslim (2/133).

[8] El-Fevaid (fq. 90).

[9] Fjalët nënkuptojnë që robi mund ta marrë një vendim për ndonjë gjë e, pastaj, vendimi i tij anulohet dhe e braktis veprën e tij dhe pikësynimin. Kështu ai e kupton që paska Krijues, i Cili i rregullon dhe i drejton çështjet e tij. (sh.p.)

[10] Hiljetu el-Evlija (7/52).

[11] Buhariu (6956).

[12] Tirmidhiu (2140), shejh Albani saktësoi në Sahih et-Tirmidhij (2792).

[13] Imam Ahmedi (9410), Shuajb Arnauti tha që hadithi është sahih li gajrihi.

[14] Muslim (1343).

[15] Hadithi ka edhe transmetime të tjera që e shënojnë imam Tirmidhiu (3439), Nesaiu (5498), Ibën Maxhe (3888), shejh Albani hadithin e saktësoi në Sahih et-Tirmidhij (2735).


[There are no radio stations in the database]