Prishtinë, lexim i Kuranit dhe lutje për nder të përvjetorit të 15 Korrikut në Turqi

Prishtinë, lexim i Kuranit dhe lutje për nder të përvjetorit të 15 Korrikut në Turqi

Në xhaminë “Jashar Pasha” në Prishtinë është mbajtur program i leximit të Kuranit dhe lutjeve për nder të 15 Korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi, që shënon përvjetorin e tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETO në vitin 2016, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra pjesëmarrës u bënë pjesë të programit i cili u organizua nga Konsulenca e Shërbimeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Kosovë në partneritet me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

Përfaqësuesi i Konsulencës së Shërbimeve Fetare pranë ambasadës, Nevzat Sabri Akın, në fjalën e rastit, tha se feja është keqpërdorur nga shumë njerëz në të kaluarën, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, duke iu referuar organizatës terroriste FETO, e cila, siç tha ai, para pesë viteve, vuri në shënjestër lirinë dhe ardhmërinë e Turqisë.

“Ajo shënjestroi atdheun, shtetin dhe jetën e popullit tonë. Të mos harrojmë se FETO, përdori për përfitime të saj të vërtetat e lartësuara të Islamit. Shtrembëroi vlerat dhe konceptet themelore të fesë sonë. Abuzoi me ndjenjat fetare, me njerëzit tanë”, tha Akın.

Akın tha se për t’u mos përsëritur 15 korriku i vitit 2016, duhet që feja të mësohet nga burime të besueshme, duke ndjekur Kuranin dhe shembullin e Profetit Muhamed dhe duke mos u dhënë mundësi “abuzuesve të vlerave kombëtare dhe shpirtërore”.

Në fund të fjalës së tij, Akın bëri lutje për mëshirën e Allahut ndaj dëshmorëve të rënë në natën e 15 korrikut dhe u uroi shëndet të plagosurve.

Të pranishëm në programin i cili u mbajt pas namazit të iqindisë ishin ambasadori turk në Kosovë, Çağrı Sakar, imamë nga BIK-u, përfaqësues nga Instituti “Yunus Emre” në Prishtinë, përfaqësues të fondacionit “Diyanet”, si dhe përfaqësues të organizatave e institucioneve të tjera turke në vend dhe qytetarë të shumtë.