
Kurti takon presidentin e Këshillit Evropian, António Costa
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në Prishtinë presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, transmeton Anadolu.
Gjatë takimit, Kurti ishte i shoqëruar nga zv/kryeministri i parë në detyrë, Besnik Bislimi, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Kurti i ka uruar mirëseardhje presidentit Costa dhe ka theksuar se “Kosova është evropiane në vlera, në histori dhe në kulturë dhe jemi plotësisht të përkushtuar për t’u bërë vend anëtar i BE-së”.
Duke theksuar faktin që kanë kaluar gati dy vite e gjysmë që nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, Kurti kërkoi nga Costa një rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusin të vendit kandidat. Ai gjithashtu kërkoi edhe heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës.
Kurti theksoi se Kosova ka bërë progres në plotësimin e reformave, siç dëshmohet në raportet e Progresit të BE-së për Kosovën.
Gjatë diskutimit u bisedua edhe për sigurinë rajonale, ku Kurti tha se kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia, e cila është “përgjegjëse për sulmin paramilitar dhe terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe lidhjet e vazhdueshme të saj me Federatën e Rusisë”. Me këtë rast, kryeministri kosovar kërkoi që Milan Radoiçiq t’i dorëzohet institucioneve të drejtësisë së Kosovës.
Në këtë takim, bëhet e ditur gjithashtu edhe se Kurti ka ngritur shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.
Costa më herët u prit në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani, derisa ai qëndroi sot në Prishtinë pas vizitës zyrtare që realizoi një ditë me herët në Beograd.