
Kurti propozon mbajtjen e Forumit Ekonomik Kosovë-Turqi në Prishtinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, Ömer Bolat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka propozuar që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij në Stamboll më 2024, të mbahet në Prishtinë këtë vit.
Ai këtë e ka thënë gjatë takimit me takim ministrin e Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat.
Në takim, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe e falënderoi ministrin Bolat për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
“Kryeministri Kurti theksoi se do të ishte i lumtur që Forumi i dytë Ekonomik Kosovë-Turqi, pas atij në Stamboll më 2024, të mbahej në Prishtinë këtë vit, si një hap konkret i radhës, thellimit dhe i zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Ndërsa, u diskutua edhe për aktivizimin e Komitetit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Me qëllim të ndërlidhjes globale dhe ekonomike, kryeministri Kurti foli për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Republikës së Turqisë.