
Kurti: E ardhmja e Kosovës është në BE dhe NATO
Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, nikoqire e të cilit këtë vit është Mbretëria e Bashkuar, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, një ndër institucionet më prestigjioze britanike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se mori pjesë në një bashkëbisedim të organizuar nga ky institut në bashkëpunim me King’s College London, ku u trajtuan një sërë temash me rëndësi strategjike, përfshirë edhe ato që do të diskutohen në Samitin e Procesit të Berlinit, si siguria dhe mbrojtja.
Në këtë kontekst, Kurti theksoi se Kosova është partnere e NATO-s dhe se e ardhmja e saj është e lidhur ngushtë me Bashkimin Evropian dhe aleancën euroatlantike.
“Përgjatë mandatit tonë qeverisës i kemi katërfishuar shpenzimet për mbrojtje, të përqëndruara në modernizim dhe sisteme të reja dhe kemi investuar në inovacion dhe partneritet, pasi duke e forcuar veten e forcojmë Aleancën që i përkasim”, shkroi Kurti.