Kryesia e BIK-ut takoi mërgimtarët

Kryesia e BIK-ut takoi mërgimtarët

Drejtoria për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës organizoi takim me mërgatën tonë në ambientet e medresesë së mesme “Alauddin” në Prishtinë. Në këtë takim përveç përfaqësuesve të xhamive dhe komuniteteve islame shqiptare nga diaspora, morën pjesë sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Sadriu, drejtori i medresesë “Alauddin” Fadil ef. Hasani, drejtori për Diasporë Ekrem ef. Simnica, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, Sabri ef. Bajgora etj.

Në emër të Kryesisë dhe Myftiut Tërnava të pranishmit i përshëndeti sekretari i përgjithshëm i Kryesisë së BIK-ut, Ahmet ef. Sadriu, i cili përshëndeti këtë takim që tashmë është bërë tradicional dhe falënderoi mërgimtarët për gjithë kontributin dhe rolin para, gjatë dhe pas luftës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë dhe sot e kësaj dite dhe shfaqi bindjen se këto takime tradicionale do të vazhdojnë dhe se lidhjet dhe bashkëpunimi e koordinimi do të shtohet edhe më tej pasi që BIK tashmë ka edhe drejtorin e Diasporës që mban kontakte të vazhdueshme me qendrat islame nëpër Evropë edhe gjetiu, si dhe do të jenë të gatshëm t’i ndihmojnë me kuadro e literaturë.

Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, të pranishmëve ju dëshiroi mirëseardhje dhe juu dëshiroi qëndrim të këndshëm në vendlindje. Ai i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në takim-drekë, të gjithë imamët, kryetarët e xhamive apo ndonjë përfaqësues e aktivist të tyre që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre nga Diaspora. Ai veçoi punën, kontributin dhe sakrificën që ka bërë dhe po bënë mërgata për vendlindje para dhe pas luftës në Kosovë. Kontributi i mërgatës sonë është shumë i madh si në edukimin e fëmijëve por edhe në udhëzimin e shumë vëllezërve tanë që jetojnë atje dhe themelimi i shumë qendrave islame në mërgatë që mundohen të ofrojnë popullatën tonë të jenë të lidhur me njëri tjetrin. Ai po ashtu tha se BIK-u ka vëmendje të veçantë për mërgatën duke premtuar se do të jetë në shërbim të mërgatës sonë dhe ju ka përgjigjur aktiviteteve edhe pse çdo herë kanë pasur probleme me viza. Ai në fund ka ftuar mërgatën që të jenë më unik, bashkë, dhe të punojmë për një të ardhme sa më të mirë dhe se ata janë pjesë thelbësore të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës.

Më pas nga një fjalë rasti në emër të mërgatës mbajtën nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, Feim ef. Abazi, nga Unioni i Xhamive Shqiptare në Gjermani Besnik ef. Kadriolli, prof. Elez ef. Osmani, myfti i Nju Jorkut, Adnan ef. Bërbatovci, imam nga Toronto të Kandasë, Avni Dobra imam në Bruksel, të cilët njëzëri theksuan edhe njëherë nevojën dhe domosdoshmërinë që të ndihmohet dhe përkrahet BIK-u me të gjitha institucionet e saj, dhe se këtë e kanë borxh, sepse në këtë Medrese janë edukuar e shkolluar e formuar në aspektin fetar.

Në fund mërgimtarët shprehën falënderime për BIK-un që organizoi këtë tubim dhe shprehën bindjen se në të ardhmen edhe më shumë do të koordinohen punët në të mirë të përbashkët. Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica më pas shpërndau disa mirënjohje për kontributin që janë duke dhënë xhamitë dhe qendrat shqiptare islame për BIK-un.

Në fund u shtrua një drekë në shenjë nderi dhe respekti për diasporën.