Kosovë, tre xhami të dëmtuara dhe një e rrënuar tërësisht si pasojë e vërshimeve të 11 janarit

Kosovë, tre xhami të dëmtuara dhe një e rrënuar tërësisht si pasojë e vërshimeve të 11 janarit

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila njoftoi se ka themeluar një komision të përkohshëm të përbërë të cilët kanë vizituar dhe inspektuar xhamitë e përmbytura nga vërshimet për vlerësimin e dëmeve në objektet fetare-xhami

Tre xhami janë dëmtuar dhe një është rrënuar tërësisht në territorin e Kosovës si pasojë e vërshimeve që ndodhën pas reshjeve të shiut dhe borës javën e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këto të dhëna i bëri të ditur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka themeluar një komision të përkohshëm të përbërë nga tre anëtarë të kësaj bashkësie, të cilët kanë vizituar dhe inspektuar xhamitë e përmbytura nga vërshimet për vlerësimin e dëmeve në objektet fetare-xhami.

“Nga vërshimet dhe përmbytjet e datës 11 janar 2021 u konstatua se janë dëmtuar xhamia e fshatit Konjuh, xhamia e fshatit Banullë të Lipjanit, së bashku me objektet përcjellëse, xhamia e fshatit Vojnoc (Zotaj) të komunës së Shtimes, si dhe xhamia e vjetër e fshatit Livoq i Epërm, në komunën e Gjilanit, e cila si pasojë e vërshimeve është rrënuar tërësisht”, njofton BIK.

Sipas BIK-ut, xhamitë e vërshuara nga uji, me përjashtim të xhamisë së vjetër të fshatit Livoq i Epërm, vazhdojnë të jenë funksionale pas tërheqjes së ujit, derisa për pjesët e dëmtuara u vendos që në bashkëpunim me këshillat përkatëse dhe me ndihmën e xhematit të sanohen dëmet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.

Gjithashtu, BIK sugjeron që në bashkëpunim me organet kompetente komunale të gjendet sa më shpejtë një zgjidhje për rregullimin e infrastrukturës, “me qëllim që rastet e tilla të depërtimit të ujit në xhami të mos përsëriten në të ardhmen”.

Vërshimet që ndodhën javën e kaluar si shkak i reshjeve të pandërprera, prekën disa rajone të territorit të Kosovës. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili ka vizituar po ashtu nga afër disa nga zonat më të dëmtuara, ka theksuar qeveria do të evidentojë dëmet e bëra në pronën publike dhe private ndërsa do bëjnë përpjekje që të kompensojnë familjet që janë në kushte më të vështira jetese.