Kosovë, qytetarët serbë protestojnë në qendër të Mitrovicës së Veriut

Kosovë, qytetarët serbë protestojnë në qendër të Mitrovicës së Veriut

Mijëra qytetarë serbë nga komunat e Kosovës nën udhëheqjen e partisë serbe Lista Serbe kanë protestuar në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta, pas tubimit të qytetarëve serbë filloi me intonimin e himnit të Serbisë ndërsa protestuesit kanë mbajtur në duar parulla të ndryshme si “Të gjithë jemi Nenad Gjuriq”, “Jam serb dhe kjo është e gjitha e imja”, “Kjo është Serbi”, e të tjera, derisa qindra flamuj janë vendosur në komunat e banuara me shumicë serbe.

Në këtë tubim, përpos krerëve të partisë Lista Serbe, kanë marrë pjesë edhe udhëheqës të institucioneve tjera lokale të udhëhequra nga serbët lokalë .

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i cili dje hoqi dorë nga pozita e ministrit për Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka bërë thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit për lëvizjen e lirë.

Rakiq tha se “serbët janë të vetëdijshëm se nuk ka marrëveshje të Brukselit për kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani”.

“Shfrytëzoj rastin të theksoj se ne duam vetëm paqe, paqe dhe vetëm paqe dhe ju lutem mos bini në provokime. Ne duam të vazhdojmë luftën tonë me mjete paqësore dhe demokratike. Ne nuk jemi faktor përçarës dhe nuk duam të kërcënojmë askënd, vetëm duam të zbatohet ajo që është nënshkruar dhe të formohet Asociacioni dhe të përmbushen të gjitha detyrimet siç është rënë dakord në Bruksel dhe natyrisht të tërhiqen të gjitha vendimet e njëanshme, përfshirë ajo për targat e automjeteve”, tha Rakiq.

Rakiq në fjalën e tij përcolli edhe mesazhet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se populli duhet të qëndrojë i qetë dhe se shteti i Serbisë nuk do të lejojë dëbimin dhe vrasjen e popullit serb.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili dha dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës tha se dorëheqja nga pozita e deputetit është luftë për paqe.

“Dorëheqjet tona i kemi dorëzuar me ndërgjegje të pastër, sepse jemi përpjekur për nëntë vjet e gjysmë të ofrojmë dorën e pajtimit dhe të ndërtojmë besim. Dorëheqjet e të gjithëve nga Lista Serbe, të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve, policëve të nderuar, nuk janë për shkak se ne jemi lodhur duke luftuar, por, sepse nuk duam të krahasohemi me institucionet e Kosovës nëse vazhdojnë të ushtrojnë dhunë institucionale ndaj njerëzve tanë”, tha Simiq derisa ftoi të pranishmit që të duartrokasin Milan Radojçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, i cili është në listë të zezë nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja.

Simiq përmendi edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nuk ka komuna serbe në Kosovë, por, ka komuna me shumicë serbe, duke shtuar se “tash s’ka institucione të Prishtinës në veri të Kosovës”.

Protesta e serbëve në Kosovë përfundoi pa incidente.

– Pse u larguan serbët nga institucionet kosovare?

Lista Serbe më 5 nëntor mori vendim që të largohet nga institucionet qendrore dhe nga komunat në veri të vendit të banuar me shumicë serbe derisa dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial në veri.

Më 6 nëntor edhe kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë dhënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse derisa njëjtë kanë vepruar edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.

Dorëheqja e Listës Serbe nga institucionet kosovare erdhi pas vendimit tre-fazësh të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale në ato “RKS”, si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të lartcekur të Qeverisë.

Gjuriq, tha para suspendimit se se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë vetura me targa ilegale.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

– Kurti ftoi qytetarët serbë në Kosovë ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje u bëri thirrje qytetarëve serbë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, pas vendimit të partisë Lista Serbe për largim nga institucionet kosovare.

Kryeministri Kurti në reagimin e tij në rrjetet sociale tha se ai nuk është kryeministër kundër serbëve të Kosovës, por Beogradi është kundër tij.

“Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet im janë luftimi i korrupsionit, drejtësia dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka shkruar Kurti duke bërë thirrje për përmbajtje në vlerat demokratike dhe evropiane në sundimin e ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave si dhe pluralizmit politik.

“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët. Ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Millosheviqit, tash ministër i Jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish-ministri i informatave të Millosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkroi Kurti.