[There are no radio stations in the database]

Kosovë, mbyllet kompania paralele e ujësjellësit në Mitrovicë të Veriut

Ministrja në detyrë e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se kanë mbyllur kompaninë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicë të Veriut, me kërkesë të Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë, transmeton Anadolu.

Rizvanolli nëpërmjet rrjeteve sociale tha se ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit kosovar.

“Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo tha se institucionet e Kosovës do të jenë të vetmet që shërbejnë në Republikën e Kosovës.

Javë më parë u mbyll kompania paralele e Serbisë e ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Komunën e Shtërpcës.


[There are no radio stations in the database]