[There are no radio stations in the database]

Kosovë, krerët e institucioneve të larta përkujtojnë përvjetorin e luftës në Ukrainë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, duke përkujtuar fillimin e luftës në Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022, kanë thënë se Kosova qëndron me Ukrainën nga dita e parë, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet rrjeteve sociale, presidentja Osmani tha se tre vjet më parë, lufta u kthye në Evropë dhe më 24 shkurt 2022 bota u zgjua nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.

Presidentja kosovare tha se që nga fillimi i luftës “kemi dëshmuar vuajtje të pamasë – jetë të vjedhura, qytete të shkatërruara – por edhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme të popullit ukrainas”.

“Ukraina lufton për atdheun, dinjitetin dhe lirinë e saj. Kosova e di këtë dhimbje. Ne e kemi jetuar atë. Kjo është arsyeja pse, që nga dita e parë, ne qëndruam me Ukrainën”, shkroi Osmani.

Ajo tha se edhe Kosova ka kontribuuar me mundësitë e saj në çështjen e Ukrainës.

“Ne kemi hapur dyert tona, kemi trajnuar ushtarët e tyre, kemi mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës dhe kemi dhënë gjithçka që mundëm – duke e ditur se lufta e Ukrainës është edhe lufta jonë. Është një luftë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, shtoi Osmani.

Fillimin e luftës në Ukrainë e ka kujtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilën tha se u ka “shkaktuar vuajtje të pamasë atyre që mbrojnë me guxim vendin e tyre dhe ka tronditur Evropën dhe botën demokratike”.

“Në Kosovë, një vend që ka duruar gjenocid, ne e kuptojmë thellë dhimbjen dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas. Solidariteti ynë nuk është vetëm me fjalë, por edhe me veprime – të presim gazetarë ukrainas në vendin tonë, të dërgojmë pajisje ushtarake dhe së bashku me aleatët tanë si Britania e Madhe, të kontribuojmë në trajnimin e ushtarëve ukrainas”, shkroi Kurti.

Si pasojë e luftës që filloi tre vjet më parë, mbi 10 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa miliona të tjerë kanë lëshuar vendin.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 12.450 civilë ukrainas janë vrarë në luftë gjatë periudhës trevjeçare.


[There are no radio stations in the database]