[There are no radio stations in the database]

Kosovë, diplomojnë 111 kadetë të ri të Shërbimit Korrektues

Me një ceremoni në amfiteatrin e objektit të ish-Rilindjes, ka diplomuar gjenerata e 45-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës, raporton Anadolu.

Në këtë ceremoni solemne të diplomimit, morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, kadetë dhe familjarë.

Në ceremoninë solemne të diplomimit, kryeministri Kurti, tha se diplomimi i 111 kadetëve nuk është thjeshtë një ceremoni, por një dëshmi e angazhimit për sistem korrektues të fuqishëm, të sigurt dhe të drejtë.

Ai tha se Qeveria ka investuar në infrastrukturë, për të forcuar stafin dhe programet rehabilituese për të burgosurit.

“Numri i rasteve të parandalimit të kontrabandës (në burgje) është rritur ndjeshëm duke dëshmuar angazhimin e shtuar në luftën e përbashkët kundër dukurive negative në vendin tonë. Programet rehabilituese janë zgjeruar, duke ndikuar në risocializimin e të dënuarve dhe përgatitjen e tyre për një kthim të suksesshëm në shoqëri”, theksoi Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës po fuqizohet si rezultat i reformave të ekzekutivit.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se institucioni që drejton ai, vlerësohet si lider në rajon.

Ai tha se zyrtari korrektues nuk është vetëm një zbatues i rregullave por një garantues i sigurisë dhe një faktor i rëndësishëm në procesin e rehabilitimit dhe risocializimit të personave të privuar nga liria.

“Me etikë, profesionalizëm dhe përkushtim të lartë, ju do të luani një rol kyç në forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë”, theksoi Dibrani.

Ai shtoi se profesionalizmi i zyrtarëve korrektues po jep rezultate në edukimin dhe risocializimin e personave të dënuar me burg.

Me diplomimin e kësaj gjenerate u bë e ditur se është ulur edhe mosha mesatare e zyrtarëve korrektues, e cila deri tani ishte mbi 50 vjeç.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar punën më 28 nëntor të vitit 1999, fillimisht me hapjen e Qendrës së parë të Paraburgimit në Prizren për të vazhduar pastaj me hapjen e qendrave tjera korrektuese nëpër qendrat më të mëdha të vendit.


[There are no radio stations in the database]