Kosovë, 22 vjet pas masakrës së Reçakut akoma nuk ka llogaridhënie

Kosovë, 22 vjet pas masakrës së Reçakut akoma nuk ka llogaridhënie

Masakra që ndodhi në fshatin Reçak të Kosovës 22 vjet më parë është ende shkaku i anktheve që shpesh i përjeton Ramë Shabani, një nga të mbijetuarit e kësaj masakre.

Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civil shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitoi shefi i atëhershëm i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur. Pasi vizitojë fshatin dhe u ngjitë lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ndërsa po afrohej tek lugu i ngushtë, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi, “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

Masakra e Reçakut, sipas Shabanit, ishte kyçe për të ndryshuar qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj luftës në Kosovë dhe çoi në bombardimet e NATO-s në Serbi.

Humbi vëllaun dhe 11 të afërm

Ramë Shabani ishte 33-vjeçar kur më 15 janar 1999 forcat serbe të sigurisë kryen masakrën e Reçakut, një fshat në komunën e Shtimes.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Shabani para memorialit të fshatit thotë se në masakër ai humbi vëllain e tij 22-vjeçar Bajrush Shabani dhe 11 të afërm.

Ai thotë se 41 persona u vranë në masakër. Tre njerëz të tjerë u vranë individualisht në fshat në ato ditë, ndërsa kufoma e një gruaje nuk është gjetur deri më sot. Sipas tij, viktimat e masakrës ishin burra, gra dhe fëmijë të moshës mbi 15 vjeç, ndërsa një viktimë u gjet pa kokë dhe një tjetër pa zemër.

Para luftës, fshati kishte rreth 230 shtëpi, por në kohën e masakrës ishte tejet i boshatisur. Disa banorë të zonës po luftonin, disa shkuan në vendet përreth dhe vazhdimisht kishte 100 deri në 150 njerëz në fshat. Sipas rrëfimit të Ramës, gruaja e tij ishte me të birin në Ferizaj, kështu që ajo nuk ishte në fshat në kohën e masakrës.

Rama thotë se më 15 janar 1999, granatimet filluan rreth orës 7 të mëngjesit.

“Ne jemi tubuar në shtëpinë e Sadik Osmanit, ishim më shumë se 30 burra, gra dhe fëmijë. Jemi tubuar se ishte edhe mali afër, edhe ishte shtëpia me bodrum, jemi frikuar mos të granatohemi. Kur e kanë pushtuar fshatin, ata kanë hyrë dhe na kanë nxjerrë neve nga shtëpia e Sadik Osmanit, na kanë nxjerrë jashtë në oborr, na kanë rrahur, na kanë marrë gjithçka nga xhepat, letërnjoftimet. Unë në atë masakër jam zënë me nënën, gruan e axhës dhe vajzën shtatë vjeçare. Si fëmijë, ajo qau pas meje kur më mori policia dhe filloi të më rrahë”, thotë Shabani.

Ai rikujton se në të njëjtën kohë, gratë i kanë mbyllur në atë bodrum ndërsa meshkujt i kanë urdhëruar të vinin duart pas dhe të drejtoheshin drejt vendit ku më pas u bë masakra në një kodër afër fshatit.

Shabani thotë se u është thënë të lëvizin drejt “ushtrisë sonë”, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), por në kodër i kanë pritur serbët.

“Pastaj, siç e ka pa e gjithë bota, kanë dalë (forcat serbe) dhe i kanë masakruar. Unë u fsheha dhjetë metra më larg, nuk kam qenë më larg se nuk kishe ku të shkoje. Ishte dimër si sot, mali (pylli) ishte shumë më i vogël atëherë, tash është rritur”, thotë Shabani.

Ai deklaron se kishte forca serbe në kodrat përreth, ndërsa në kodrën në anën tjetër të fshatit kishte vëzhgues të Komisionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, të cilët vëzhgonin gjithçka, por nuk mund të hynin në fshat.

Sipas tij, kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, hyri në fshat një ditë pas masakrës dhe pa kufomën e të moshuarit Banush Kamberi pa kokë, Ragip Bajramit pa zemër dhe kufomat e tjera, pas çka deklaroi se ishte një masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Vrasjet ndodhën në disa lokacione

Vëllai më i vogël i Ramë Shabanit ishte 22 vjeç, ai nuk kishte fëmijë, ishte i ri dhe siç thotë Shabani, nuk ishte përzier me ushtrinë dhe ishte i pafajshëm si të tjerët.

Ramë Shabani tregon se vrasjet ndodhën në disa lokacione në fshat dhe se në mbrëmjen e 16 janarit, banorët e të gjithë fshatrave përreth ndihmuan në transferimin e kufomave në xhaminë e fshatit, duke menduar se do të varroseshin për dy apo tre ditë më pas.

Por, vendasit, së bashku me anëtarët e UÇK-së, luftuan për trupat e të vrarëve për tre ditë. Megjithatë, policia serbe mori trupat dhe i çoi në Prishtinë për autopsi. Ata i mbajtën për gati një muaj dhe më 11 shkurt i kthyen dhe vendasit i varrosën.

“Pastaj tre ditë u luftua dhe u vra komandanti i brigadës Ahmet Kaçiku, edhe ata (forcat serbe) kanë pësuar humbje. Nuk kemi pasur zgjidhje, (forcat serbe) i kanë marrë (kufomat). Pastaj edhe një muaj, deri më 11 shkurt ne nuk kemi mundur t’i varrosim. Janë mbajtur nëpër qese, nëpër spitale. Dy-tre herë ka qenë kjo masakër, jo një herë. Dy-tre herë ka qenë për familjarët dhe për të gjithë që ndjenin dhembje, ka qenë dy-tre herë masakër”, thotë Ramë Shabani.

Përveç një polici serb, askush tjetër nuk është mbajtur përgjegjës

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) dënoi masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak dhe rreth dy muaj më vonë NATO filloi bombardimet ndaj Serbisë.

“Masakra ka pasur në Kosovë, ka qenë e Obrinjes dhe masakra tjera para masakrës së Reçakut, por ajo që e ka tronditur botën është e Reçakut. Vula e Kosovës është Reçaku. Ndoshta fillimi, dokumentet janë te Adem Jashari, por vula për Kosovën, vetëm nëse nuk duam ta pranojmë realitetin, që e ka sjellë marrëveshjen e Rambujesë dhe Këshillin e Sigurimit është masakra e Reçakut”, tha Shabani.

Ai thekson se përveç një polici serb, askush tjetër nuk është mbajtur përgjegjës për këtë krim dhe dëshmitarët, thotë ai, ngadalë po vdesin.

Menjëherë pas luftës, në vitin 2001 gjykatësit e UNMIK-ut, Misionit të OKB-së në Kosovë, dënuan oficerin e policisë Zoran Stojanoviç me minimum 15 vjet burg për pjesëmarrje në vrasjen e 45 personave në fshatin Reçak.

Masakra e Raçakut ishte midis akuzave për krime lufte para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Ramë Shabani shpesh ka ankthe për gjithçka që ka mbijetuar. Megjithatë, ai thekson se dikush duhej të viktimizohej për këtë vend.

“Them kurrë insha-Allah nuk përsëritet”, porosit Shabani.