[There are no radio stations in the database]

Kosova “që nesër” mund ta dërgojë kontingjentin e radhës në Gazë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për dislokimin e kontingjentit të radhës në Gazë.

Ai ka theksuar për Ekonomia Online se ushtarakët janë të përgatitur për t’iu përgjigjur menjëherë çdo kërkese nga komanda e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF).

“Pra, jemi në kohë, i kemi përgatitur, i kemi marrë masat përgatitore për të gjithë kontingjentin, pra nëse na kërkohet sot që të dërgojmë, ne nesër e kemi të mundshme që të dërgojmë pjesën tjetër të kontingjentit në Gaza. Janë marrë masat përgatitore, trajnimi, mbështetja financiare edhe të gjitha elementet e nevojshme bazuar në planet tona për të dërguar edhe pjesën tjetër të kontingjentit”, ka deklaruar Maqedonci.

Ndryshe, procesi nisi me dërgimin e një ekipi vlerësues në Gazë. Para një muaji, dy pjesëtarë arritën në shtabin kryesor në Kerem Shalom si oficerë ndërlidhës, ndërsa gjatë ditëve të fundit, misioni është përforcuar me katër ushtarë shtesë të FSK-së.

E pavarësisht gatishmërisë, situata aktuale në Lindjen e Mesme ka pamundësuar nisjen e misionit të ISF-së. Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, krahas vështirësive në negociatat midis Bordit të Paqes, Izraelit dhe Hamasit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në ecurinë e misionit, që do të ketë për detyrë të ndihmojë në ruajtjen e rendit në Gazë.


[There are no radio stations in the database]