[There are no radio stations in the database]

Kosova ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës nga Brazili

Republika e Kosovës ka ndaluar përkohësisht importin e mishit të pulës nga Brazili për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve, transmeton Anadolu.

Siç njofton Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nga 20 maji 2025 janë ndaluar përkohësisht importi i mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili.

“Kjo masë është ndërmarrë si përgjigje ndaj shpërthimit të gripit të shpendëve (H5N1) në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane. Ky vendim synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV thotë se ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën dhe vende tjera të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit.

Sipas AUV-it, ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV.

Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve.


[There are no radio stations in the database]