Kosova fillon reciprocitetin për targat e automjeteve me Serbinë

Kosova fillon reciprocitetin për targat e automjeteve me Serbinë

Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sipas të cilit, këto veprime të policisë kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë, konkretisht atë të targave të automjeteve.

“MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, shkroi Sveçla.

Me këtë rast, ministri kosovar ka njoftuar se nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa me denominimin “KS” por vetëm ato me “RKS”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, shkroi ai.

Aktualisht situata e kontrolleve nga Policia e Kosovës sipas ministrit është e qetë ndërsa policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.

Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga MPB-ja dhe të nënshkruar nga ministri Sveçla për rregullimin e kësaj çështje, “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa në mjet. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë”, thuhet në pikat e këtij vendimi.

Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, nga Kosova në Serbi mund të futen të gjitha veturat me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Këtë vit, Ministria e Brendshme e Kosovës kishte paralajmëruar edhe më herët se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targave “KS” dhe veturat e Republikës së Kosovës do të bartin vetëm targat RKS.