thumbs_b_c_76c53d4d4b4f5b33ed1b75b632730bc6

Kosova dhe Türkiye nënshkruan bashkëpunim në fushën e zhvillimit rajonal

Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Türkiye-s dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal të Kosovës kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi, raporton Anadolu.

Protokolli i bashkëpunimit u nënshkrua mes ministrit turk të Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank dhe ministrit të Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, në margjinat e takimit me përfaqësuesit e shoqatave të Rumelisë dhe Ballkanit në Qendrën e Kongresit dhe Kulturës Atatürk – Merinos në qytetin turk Bursa.

Në fjalimin e tij në kuadër të programit, ministri turk Varank theksoi se sot në Kosovë ekziston një komunitet turk, numri i të cilit nuk mund të nënvlerësohet dhe se i kushtojnë rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve paqësore dhe të qeta me të gjithë fqinjët e tyre.

Ai theksoi se janë duke vazhduar përpjekjet e tyre të përbashkëta që Kosova të arrijë pozitën që meriton në arenën ndërkombëtare.

“Në këtë drejtim, mbështesim vizionin e Kosovës për anëtarësim në NATO, Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Qetësia dhe prosperiteti i Kosovës nënkupton edhe stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës. TIKA, nëpërmjet rreth 700 projekteve ka ofruar në shërbim të kosovarëve një burim prej rreth 100 milionë eurove. Kemi një punë shumë të ngjeshur si në tavolinë ashtu edhe në terren në fushën e zhvillimit rajonal. Si ministri dëshirojmë që përvoja jonë që kemi fituar në fushën e zhvillimit rajonal të ndahet dhe të rritet, të hapen dyer të reja bashkëpunimi duke forcuar komunikimin mes palëve të interesuara”, tha Varank.

Ai tha se në kuadër të marrëveshjes me Kosovën, do të krijohet një grup i përbashkët pune, kryesisht në fushën e zhvillimit rajonal, do të ndahen njohuritë, përvojat dhe praktikat e mira me homologët e tyre kosovarë dhe do të iniciojnë projekte të përbashkëta të zhvillimit dhe programeve të shkëmbimit të ekspertëve.

Varank shtoi se krahas këtyre çështjeve do të zhvillojnë projekte të përbashkëta ndërmjet teknoparqeve, projekteve hulumtim/zhvillim dhe qendrave të inovacionit. “Së bashku do të vazhdojmë të realizojmë projekte të vlefshme që do të rrisin mirëqenien e vëllezërve tanë kosovarë. Uroj që protokolli i mirëkuptimit që do të nënshkruajmë me këtë rast të jetë i dobishëm për vendet tona”, shtoi ai.

“Për një Ballkan të qëndrueshëm, natyrisht që ka nevojë për një Türkiye të fuqishme”

Ministri Damka rikujtoi se Türkiye është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Duke falënderuar presidentin Recep Tayyip Erdoğan, Damka tha se “Marrëveshja bilaterale që do ta bëjmë do të ndihmojë zhvillimin e Kosovës, ngritjen e zonave industriale, teknoparqeve në Kosovë, si dhe do të nxisë bashkëpunimin në fusha të tjera dhe do të ndihmojë Kosovën të zhvillohet në mënyrë më të prosperuar. Shpresoj që me këtë marrëveshje, ky bashkëpunim mes dy vendeve do të ngritet në një nivel më të lartë”.

Më tej, ai tha se Republika e Türkiye-s mbështet Kosovën në shumë fusha.

“Për një Ballkan të qëndrueshëm, natyrisht që ka nevojë për një Türkiye të fuqishme. Falë kësaj Türkiye të fuqishme, sot Ballkani është më i qëndrueshëm, më i prosperuar dhe më i zhvilluar. Prandaj nëse Kosova është vendlindje për ne Türkiye është mëmëdhe. Edhe pse këto zgjedhje mbahen në Türkiye, zemra dhe sytë e Ballkanit janë në 14 maj. Presidenti ynë thotë ‘Bota është më e madhe se pesë’. Ndërsa ne e themi çdo herë këtë ‘Türkiye, është më e madhe se Türkiye'”, tha Damka.

“Prandaj nëse Türkiye është e fuqishme, qëndrimi i Türkiye-s pas një lideri të fuqishëm, është një arsye që ne të jemi fuqishëm në Ballkan. Prandaj, zgjedhja që do të mbani më 14 maj nuk është vetëm për ju, por edhe për ne. Vota juaj, është edhe vota jonë. Prandaj deri më tani ne ishim të kënaqur nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan”, tha ai.