Kosova dhe Serbia mirëpresin KFOR-in në kufij

Kosova dhe Serbia mirëpresin KFOR-in në kufij

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen e arritur në Bruksel për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet, ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se për shtetin e tij “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.

Më 30 shtator, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, njoftoi për arritjen e marrëveshjes.

Në një letër të publikuar nga Lajçak në rrjetin social Twitter, shihet se palët janë pajtuar për tri pika kyçe:

  • Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
  • Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
  • Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

 

Kurti: Serbia do të nisë të mësohet me reciprocitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se me marrëveshjen e arritur me Serbinë në Bruksel, Serbia do të nisë “të mësohet me reciprocitet”.

Sipas tij, me heqjen e barrikadave, nuk do të ketë më nevojë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të qëndrojnë në Jarinjë dhe Bërnjak. Por, sipas tij, policia do të jetë “gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen”.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook.

Vuçiq: Jam shumë i kënaqur me marrëveshjen

Pala serbe e pranoi propozimin për kompromis me Kosovën, me qëllim shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se kemi arritur një lloj zgjidhjeje kompromisi, me të cilën personalisht jam shumë i kënaqur”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Nish.

Sipas tij, marrëveshja i ka “anët e mira dhe të këqija”, por shtoi se për Serbinë “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe “ne të ruajmë paqen”.

KFOR-i patrullon afër bllokadave në Jarinjë

Escobar: U befasuam me mënyrën e zbatimit të reciprocitetit

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, gjatë një konference për media në Bruksel, të enjten deklaroi se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në veri.

Escobar, që njëherësh është i dërguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrë e zbatimit të këtij vendimi.

“Kosova ka të drejtë në reciprocitet dhe kjo ka qenë e ditur. Por, u zumë shumë në befasi me mënyrën e zbatimit. Por, këtë e prisnim që të ndodhë në një moment. Jemi të lumtur që siguruam uljen e tensioneve”, tha ai duke shtuar se duhet gjetur zgjidhje afatgjate për çështjen e targave.