[There are no radio stations in the database]

KE ndan 153 milionë euro ndihmë emergjente për Ukrainën

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se ka ndarë 153 milionë euro ndihmë emergjente për Ukrainën dhe Moldavinë, e cila strehon refugjatët ukrainas.

Sipas Komisionit, për të përballuar nevojat urgjente, BE-ja po alokon fillimisht 145 milionë euro ndihmë humanitare për Ukrainën, për të ofruar mbrojtje, strehim, ushqim, asistencë në para, mbështetje psikososiale, si dhe qasje në ujë dhe shërbime shëndetësore.

Një tjetër 8 milionë euro do t’i shkojnë Moldavisë për të mbështetur strehimin e refugjatëve ukrainas që kanë ikur nga lufta me Rusinë.

Pas më shumë se një dekade armiqësish dhe gati katër vjet luftë në shkallë të plotë, njerëzit e Ukrainës vazhdojnë të durojnë vuajtje të mëdha”, thuhet në njoftim.

Komisioni theksoi se për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, miliona njerëz janë të ekspozuar ndaj temperaturave të ngrira.

Këtë javë, janë dorëzuar 447 gjeneratorë me vlerë 3.7 milionë euro për të rikthyer energjinë elektrike në spitale, strehimore dhe shërbime të tjera kritike” shtoi ai.

Gjithashtu, po dërgohen edhe 500 gjeneratorë të tjerë nga rezervat strategjike rescEU, për të mbajtur në funksion shërbimet esenciale.

Kjo ndihmë vjen në një moment kur miliona ukrainas po përballen me dimër të ashpër pa energji elektrike për shkak të bombardimeve ruse të vazhdueshme.

Që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në shkurt 2022, BE-ja ka ndarë mbi 1.4 miliardë euro ndihmë humanitare për Ukrainën dhe Moldavinë.


[There are no radio stations in the database]