
Institucionet turke vazhdojnë mbështetjen për Policinë e Shqipërisë
Në Shqipëri është mbajtur ceremonia e ndarjes së certifikatave për punonjësit e Policisë së Shqipërisë, të trajnuar nga Policia e Turqisë, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu.
Në aktivitetin e mbajtur në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, pjesëmarrësit e trajnimit dhe të ftuar të tjerë.
Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata tha gjatë fjalës në aktivitet se që nga vitit 1996 vazhdojnë aktivitetet nëpërmjet zyrës së TIKA-s në Shqipëri.
“Një nga detyrat kryesore të veprimtarisë tonë janë edhe trajnimet. Duke filluar që nga viti 2007, këtë lloj projekti, bashkëpunimin mes policive, e kemi filluar nga Shqipëria për herë të parë. Tani e kemi shtrirë këtë lloj projekti në 40 vende të tjera. Mendojmë ta vazhdojmë veçanërisht në fushën e sigurisë”, tha Ata.
Rektori i Akademisë së Sigurisë të Shqipërisë, Ilirjan Mandro, në fjalën e tij falënderoi institucionet turke, që sipas tij kanë qenë të angazhuara për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e trajnimit.
“Falënderojmë TIKA-n që e ka mundësuar dhe ekspertët që kanë ardhur për vijueshmërinë e këtij kursi, i cili ka mjaft vlera në fushën e personelit”, tha Mandro.
Përfaqësuesi i Policisë së Turqisë, Mustafa Özer u shpreh se është shumë i kënaqur nga interesi dhe pjesëmarrja në trajnim. “Mendoj se është një trajnim që do të na vlejë të dy palëve. Gjithashtu në të ardhmen nëse do ketë nevojë për një kurs tjetër të kësaj natyre, ne jemi të gatshëm ta ofrojmë”, u shpreh Özer.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe këshilltari për punët e brendshme në Ambasadën e Turqisë në Tiranë, Ömer Uslusoy, drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Anisa Duçkollari dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet turke dhe shqiptare.
Trajnimi mbi menaxhimin e burimeve njerëzore është ofruar nga specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Turqisë për 21 punonjës policie të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë.