
Institucionet e Kosovës kthejnë hapësirën publike të uzurpuar prej dekadash në veri
Institucionet kosovare kanë kthyer në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve shtetërore të Kosovës një hapësirë e cila ishte uzurpuar prej dekadash nga strukturat paralele të Serbisë në veri të territorit kosovar, transmeton Andolu.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bëri të ditur për këtë aksion policor, tha se bëhet fjalë për objektin ku ka ushtruar veprimtarinë e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara.
“Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara”, theksoi Sveçla.
Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se në këtë objekt kryente veprimtarinë edhe Shoqëria Kulturore-Artistike “Kosovski božur”.
Sveçla po ashtu tha se një aksion i ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut, por nuk dha më shumë detaje për këtë.
“Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më”, shkroi Sveçla.
Ai tha se në çdo cep të Republikës së Kosovës ka rend e ligj dhe institucionet janë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Gjatë ditës së djeshme, në Mitrovicë të Veriut u mbyll edhe kompania paralele e ujësjellësit “Ibar”, me kërkesë të Monitorimit të Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës.