Gratë siriane jetojnë me shpresën se të afërmit e tyre të arrestuar nga regjimi i Asadit janë gjallë

Gratë siriane jetojnë me shpresën se të afërmit e tyre të arrestuar nga regjimi i Asadit janë gjallë

Gratë që janë strehuar në rajonin Bab duke u larguar nga Idlibi për shkak të sulmeve intensive të regjimit të Bashar al-Asadit, jetojnë me shpresën se fëmijët dhe bashkëshortët e tyre që janë arrestuar vite më parë nga forcat e regjimit në luftën e brendshme në Siri janë ende gjallë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) i cili dokumenton shkeljet e të drejtave kundër civilëve në Siri, thuhet se nuk dihet fati i më shumë se 131 mijë personave që mbahen në burgje nga regjimi i Asadit i cili ka arrestuar qindra mijëra civilë në luftën e brendshme që ka filluar në mars të vitit 2011.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Viktimat e Zhdukur me Forcë, gazetarët e AA-së kanë biseduar me familjet e disa civilëve që janë arrestuar vite më parë nga regjimi i Asadit dhe fati i të cilëve ende nuk dihet.

Fatma Bassas nga Idlibi, të cilës forcat e regjimit i kanë arrestuar bashkëshortin dhe djalin 10 vite më parë dhe e cila ende nuk ka ndonjë informacion rreth tyre, është vetëm një nga familjet e shkatërruara. Në vitin 2019 pasi regjimi dhe mbështetësit e tyre rritën sulmet kundër fshatrave në Idlib, Bassas bashkë me 4 fëmijët e saj migroi në zonën Bab që u pastrua nga terrorizmi.

Duke kryer detyrën e babait dhe të nënës, Bassas mallin për bashkëshortin dhe fëmijën e saj e shuan duke shikuar fotografitë që ka në telefonin e saj.

“Në aspektin ekonomik ishim në gjendje të keqe. Bashkëshorti im dhe djali 16-vjeçar në atë periudhë shkuan në Liban për të punuar. Kur filluan sulmet në zonën tonë ne vendosëm të ktheheshim këtu. Por, ata u arrestuan rrugës në zonën e Homsit. Që prej 10 vitesh nuk kemi mundur të marrim ndonjë lajm prej tyre. Jetojmë me shpresën se janë gjallë”, tha Bassas.

Ajo vuri në dukje se vajza më e madhe është me aftësi të kufizuara. “Na ka ndikuar shumë ikja e bashkëshortit dhe djalit. Kemi mbetur pa njeri. Ndodhemi këtu prej 2 vitesh. Nuk kemi askënd që të punojë. Jetojmë me mëshirën e Allahut”, u shpreh Bassas.

Nëna Bassas thotë se e vetmja ëndërr është pritja se do të marrin ndonjë lajm se bashkëshorti dhe djali janë gjallë.

“Shpresojmë që të lirohen të gjithë të burgosurit”

Havle Nayif ka 8 vite që nuk ka marrë ndonjë lajm për bashkëshortin e saj për të cilin ajo thotë se është arrestuar pa ndonjë faj nga forcat e regjimit në Idlib.

“Bashkëshorti kujdesej për ne duke punuar. Një ditë ai u zhduk pasi u arrestua në pikën e kontrollit të regjimit derisa po kthehej nga puna. Jemi munduar shumë për të marrë informacion për vendin ku mbahet, por nuk kemi mundur të marrim informacion”, shtoi Nayif.

Ajo tha se është detyruar që bashkë me fëmijët të braktisë shtëpinë e saj si pasojë e sulmeve intensive të regjimit të Asadit në zonën Jabal Al-Zawiya në jug të Idlibit.

Nayif theksoi se kanë kaluar ditë shumë të vështira dhe se në rajonin Bab ku janë strehuar mbijetojnë me ndihmën e bamirësve.

Duke vënë theksin se jetojnë me shpresën se bashkëshorti është gjallë, Nayif tha: “Shpresoj që të lirohet bashkëshorti im dhe të gjithë të burgosurit e tjerë që përjetojnë fatin e tij”. /aa