[There are no radio stations in the database]

Gjermania do të dërgojë personel ushtarak për të mbështetur monitorimin e armëpushimit në Gaza

Gjermania do të vendosë tre personel ushtarak për të mbështetur monitorimin e armëpushimit në Gaza përmes një qendre koordinimi të udhëhequr nga SHBA-ja në Izarel, transmeton Anadolu.

“Qeveria gjermane mbështet planin 20-pikësh dhe procesin e paqes për Gazën duke ndihmuar në stabilizimin e armëpushimit dhe zbatimin e masave të dakorduara”, tha Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë.

Për fazën fillestare, forcat gjermane Bundeswehr do të dërgojë dy oficerë shtabi dhe një gjeneral brigade nga Komanda Operacionale javën e ardhshme. Ata do të shërbejnë në uniformë, por të paarmatosur në Qendrën e Koordinimit Civil-Ushtarak (CMCC) në Izraelin jugor.

Përgjegjësitë e CMCC-së të udhëhequr nga SHBA-ja përfshijnë monitorimin e armëpushimit në Gaza, pastrimin e mbeturinave të luftës dhe koordinimin e ndihmës humanitare. Qendra gjithashtu do të mbikëqyrë integrimin, trajnimin dhe mbështetjen logjistike të forcës paqeruajtëse shumëkombëshe të planifikuar.

Ministria gjermane theksoi se CMCC-ja ka filluar tashmë operacionet me rreth 200 ushtarë amerikanë dhe drejtohet nga një gjeneral amerikan me tre yje.

Dislokimi, tha ministria, nuk kërkon autorizim nga parlamenti gjerman pasi “nuk pritet asnjë përfshirje në operacione të armatosura”.

Njoftimi vjen pas angazhimit të mëparshëm të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për të ofruar mbështetje të fortë politike, financiare dhe teknike për planin e armëpushimit në Gaza, duke mos angazhuar trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit.

Të hënën e kaluar, fuqitë botërore dhe aktorët rajonal miratuan planin 20-pikësh të armëpushimit në Gaza të presidentit të SHBA-së, Donald Trump ,gjatë një samiti në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, me zbatimin që është po zhvillohet aktualisht, pavarësisht disa shkeljeve të fundit nga ushtria izraelite.

Në fazën e parë të planit, Hamasi liroi 20 pengje izraelite, ndërsa Izraeli liroi gati 2 mijë të burgosur palestinezë. Trupat izraelite kanë filluar të tërhiqen nga zonat me popullsi të dendur dhe ndihma humanitare ka filluar të mbërrijë në Rripin e Gazës.

Fazat e mëvonshme të planit përfshijnë demilitarizimin e Hamasit, krijimin e një mekanizmi të përkohshëm qeverisës teknokratik dhe vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi për të siguruar sigurinë kufitare.

Gjatë dy viteve të fundit, ushtria izraelite ka zhvilluar një luftë gjenocidale në Gaza, duke vrarë të paktën 68 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur gati 170 mijë tjerë.

Muajin e kaluar, një komision hetimor ndërkombëtar i pavarur i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Rripin e Gazës. Rrethimi dhe bllokada e ndihmës kanë shkaktuar një uri të rëndë që ka vrarë qindra palestinezë në muajt e fundit.


[There are no radio stations in the database]