Francë, gjykata e lartë mbështet ndalimin e veshjes së fustaneve të gjata të stilit ‘abaja’ në shkolla

Francë, gjykata e lartë mbështet ndalimin e veshjes së fustaneve të gjata të stilit ‘abaja’ në shkolla

Gjykata më e lartë e Francës vendosi sot se ndalimi i qeverisë për veshjen e fustaneve të gjata të stilit “abaja” të veshura nga femrat muslimane është i ligjshëm, raportojnë mediat lokale, transmeton Anadolu.

Këshilli i Shtetit, gjykata më e lartë, tha se ka refuzuar apelin e një grupi të të drejtave muslimane kundër ndalimit të qeverisë të shpallur muajin e kaluar ndaj abajas, një mantel i gjerë dhe i gjatë i veshur nga disa nxënëse muslimane, në shkolla. Gjykata tha se ndalimi nuk është diskriminues ndaj muslimanëve.

“Ky ndalim nuk cenon seriozisht dhe nuk është haptazi i paligjshëm ndaj të drejtës për respektimin e jetës private, lirinë e fesë, të drejtën për arsim … ose parimin e mosdiskriminimit”, tha gjykata në një deklaratë.

Gjykata tha gjithashtu se veshja e abajave dhe “kamisit” në shkolla – e cila është rritur në vitin e fundit shkollor 2022-2023 – përshtatet në logjikën e afirmimit fetar.

Ndalimi i qeverisë gjithashtu ndalon nxënësit në ndërtesat e shkollave publike që të veshin në mënyrë të dukshme shenja ose veshje të aderimit në ndonjë fe, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Më 31 gusht, Vincent Brengarth, avokat për Aksionin për të Drejtat e Muslimanëve (ADM), paraqiti një apel në Këshillin e Shtetit për të kërkuar pezullimin e ndalimit të abajas, për të cilën ai tha se shkel “disa liri themelore”.

Në fillim të kësaj jave, ministri i Arsimit Gabriel Attal tha se më shumë se 60 nxënëse muslimane kanë refuzuar të hiqnin abajat e tyre në shkolla.

Sesioni i ri shkollor filloi të hënën dhe pavarësisht rregullit të ri, 298 nxënëse kanë ardhur në shkolla në rajone të ndryshme të vendit të veshur me abaja, tha ai.

Masa e diskutueshme ka shkaktuar reagime kundër qeverisë, e cila është kritikuar vitet e fundit për shënjestrimin e muslimanëve me deklarata dhe politika, duke përfshirë bastisjet në xhami dhe fondacione bamirësie, dhe ligjin e “antiseparatizmit” që vendos kufizime të gjera ndaj komunitetit.