Fëmijët sirianë në kampet në Idlib nuk arrijnë të blejnë lodra, paratë u mjaftojnë vetëm për bukë

Fëmijët sirianë në kampet në Idlib nuk arrijnë të blejnë lodra, paratë u mjaftojnë vetëm për bukë

Dyqani i lodrave i hapur në një qytet tendë në Idlib të Sirisë, po arrin t’i zbukurojë vetëm ëndrrat e fëmijëve, pasi në rastet e para që familjet e tyre kanë në dorë para, ata nuk mund të blejnë gjë tjetër pos bukës.

Muhamed Kitejsh, i cili u zhvendos dy vjet më parë për shkak të sulmeve të forcave të regjimit të Bashar al Asadit, hapi një dyqan lodrash në kampin ku u strehua.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Kitejsh deklaroi se dyqanin e ka hapur duke marrë para hua.

“Dyqani i lodrave më rehaton. Më largon nga balta dhe pluhuri i kampit. Kjo më bën të harroj dhimbjen që kam përjetuar, qoftë edhe për çaste të shkurtra”, shprehet ai.

Megjithatë, ai thotë se vuajtjet e fëmijëve të zhvendosur nuk mund t’i largojnë madje as lodrat.

“Dua që të gjithë fëmijët në çadra të kenë lodra”

13-vjeçari Ahmet Hatib, i cili jeton në një nga çadrat e improvizuara në kamp, ​​tha se familja e tij nuk ka para për të blerë lodra dhe se në rastet kur në dorë u bie ndonjë para, ata mund të blejnë vetëm bukë.

Hatib tha se dëshiron të ketë lodra, veçanërisht një biçikletë, sikurse fëmijët e tjerë.

Ndërkaq, dhjetëvjeçari Adnan Muhamed, theksoi se dëshiron të blejë një top futbolli.

“Jo vetëm për vete, por dua që të gjithë fëmijët në çadra të kenë lodra”, thotë Muhamed.

Idlibi bën pjesë në një zonë të de-eskalimit të krijuar sipas një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Rusisë. Zona ka qenë subjekt i marrëveshjeve të shumta të armëpushimit, të cilat shpesh janë shkelur nga regjimi i Asadit dhe aleatët e tij.

Rreth 2 milionë civilë në periudhën 2017-2020 janë detyruar të migrojnë drejt zonave më afër kufirit me Turqinë si pasojë e sulmeve.