Evropa me popullsinë më të madhe të moshuar në botë

Evropa me popullsinë më të madhe të moshuar në botë

Evropa ka popullsinë më të madhe të moshuar në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Rritja e jetëgjatësisë mesatare falë përparimit mjekësor dhe përmirësimit të standardeve të jetesës ka çuar në rënie të shkallës së vdekjeve në nivel global.

Kjo e shoqëruar me rënien e nivelit të lindjeve ka çuar në një rritje të popullsisë në plakje.

Nëse të moshuarit përbëjnë më shumë se 10 për qind të popullsisë së përgjithshme, kjo konsiderohet si shenjë e popullsisë në plakje.

Përafërsisht një miliard e popullsisë së botës është 60 vjeç e lart, kurse plakja e popullsisë ndikon më shumë në sistemet e sigurimeve shoqërore dhe ekonomitë e vendeve.

Popullsia e botës, e cila është rritur me shpejtësi në dekadat e fundit, ishte 6 miliardë në 1999, arriti në 7 miliardë në 2011 dhe këtë vit popullsia e botës i kaloi 7,9 miliardë, sipas të dhënave të OKB-së.

Në total prej 59,33 për qind e popullsisë së botës jeton në Azi, 17,51 për qind në Afrikë, 9,77 për qind në Evropë, 8,37 për qind në Amerikën e Jugut, 4,73 për qind në Amerikën e Veriut dhe 0,56 për qind në Oqeani.

Sipas të dhënave të “Statista” për 2021, Evropa kryeson në përqindjen e popullsisë së moshuar me 19 për qind, e ndjekur nga Amerika e Veriut me 17 për qind, Oqeania me 13 për qind dhe Azia dhe Amerika e Jugut me 9 për qind secila.

Afrika, e cila ka jetëgjatësinë mesatare më të ulët, ka edhe shkallën më të ulët të popullsisë së moshuar me vetëm 4 për qind.

Ndërkohë, Gjermania është vendi që kontribuon më shumë në popullsinë e moshuar të Evropës me 17,78 milionë, e ndjekur nga Italia me 13,76 milionë, Franca me 13,16 milionë dhe Britania e Madhe me 12,24 milionë.

Sipas OKB-së, jetëgjatësia u rrit nga 46 në 68 vjet midis viteve 1950 dhe 2010, ndërkaq, kjo normë u rrit në 73,2 në vitin 2020.

Në vitin 2021, 26 për qind e popullsisë së botës ishte 15 vjeç e poshtë, ndërsa 10 për qind ishte 65 vjeç e lart, sipas Statista.

Numri më i madh i të moshuarve jeton në Kinë

Kina ka popullsinë më të madhe të të moshuarve në botë me 166 milionë, që i përgjigjet 11,9 për qind të popullsisë së vendit.

Kjo pasohet nga India me 84,9 milionë, SHBA me 52,76 milionë dhe Japonia me 35,58 milionë.

Japonia ka jetëgjatësinë mesatare më të lartë me 85 vjet, e ndjekur nga Zvicra me 84,25 vjet, Singapori me 84,07 dhe Italia me 84,01 vjet.

Republika e Afrikës Qendrore ka jetëgjatësinë mesatare më të ulët me 54,36 vjet.

Një në tetë njerëz në botë është i moshës 60 vjeç e lart dhe kjo shifër do të rritet në mënyrë të qëndrueshme, sipas OKB-së.

Pritet që numri i personave mbi 65 vjeç të arrijë në 1,5 miliardë në vitin 2050, kurse popullsia e moshuar do të përbëjë 22 për qind të popullsisë totale të botës.

Popullsia e moshuar në Turqi rritet në 24 për qind për 5 vjet

Popullsia e moshuar në Turqi ishte mbi 6,6 milionë në vitin 2016. Kjo shifër u rrit me 24 për qind gjatë pesë viteve të fundit dhe arriti në 8,2 milionë në 2021.

Për më tepër, shkalla e fëmijëve dhe të rinjve në popullsinë totale të Turqisë është në rënie.

Parashikohet që shkalla e popullsisë së moshuar në Turqi të jetë 11 për qind deri në vitin 2025, 12,9 për qind deri në vitin 2030, 16,3 për qind deri në vitin 2040, 22,6 për qind deri në vitin 2060 dhe 25,6 për qind deri në vitin 2080.