Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin Vjetor për vitin 2020 ku përfshihen zhvillimet ekonomike për vitin e kaluar, të cilat u përcollën me rrethana të reja shkaku i pandemisë COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga BQK, ekonomia e Kosovës vlerësohet të ketë shënuar rënie prej 3,9 për qind në vitin 2020.
Raporti Vjetor i BQK-së bën të ditur se gjatë vitit 2020 “ekonomia e Kosovës vazhdoi të ketë stabilitet fiskal dhe të çmimeve”.
Në anën tjetër, “borxhi publik në vitin 2020 ka arritur në 1,5 miliard euro apo në 21,8 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.
Sipas raportit, lëvizja e çmimeve në Kosovë vazhdon të përcaktohet kryesisht nga lëvizja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e varësisë së lartë të ekonomisë së Kosovës nga importet.
“Sistemi financiar, përkundër vështirësive të shkaktuara nga situata pandemike, vazhdon të jetë stabil dhe të ketë rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Raporti bën të ditur se kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë gjatë vitit 2020 ishte shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e vazhdimit të kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat.
“Sektori bankar vazhdon të ketë cilësi të mirë të portofolit kreditor me nivel të kredive joperformuese prej 2,7 për qind. Sektori i institucioneve mikrofinanciare dhe atyre financiare jobankare gjithashtu ka vazhduar të ketë një ndikim të rëndësishëm në kreditimin e ekonomive familjare dhe bizneseve të vogla”, thuhet në njoftim.
Sa i përket sektorëve të tjerë, sektori pensional gjatë vitit 2020 u karakterizua me ngadalësim të theksuar të rritjes krahasuar me vitin 2019, derisa në ngadalësim ndikoi tërheqja e 10 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional nga kontributdhënësit, në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ndërkaq, sektori i sigurimeve ka vazhduar të ketë përmirësim që evidentohet me rritjen e shfrytëzimit të produkteve të sigurimeve në ekonominë kosovare.