“Drejtësia dhe paqja me rëndësi të lartë për diplomacinë kosovare”

“Drejtësia dhe paqja me rëndësi të lartë për diplomacinë kosovare”

Akademia Diplomatike e Kosovës ka organizuar konferencë akademike, ndërkombëtare, me temën “Politika e jashtme e Kosovës – një qasje proaktive”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë konferencë ku morën pjesë ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe njohës të çështjeve të Ballkanit Perëndimor dhe diplomatë të shumtë u diskutua politika e jashtme kosovare, historiku i saj, aktualiteti dhe e ardhmja e diplomacisë kosovare.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Liza Gashi, duke folur për dialogu Kosovë-Serbi tha se sipas institucioneve të larta kosovare, ai duhet të jetë dialog me principe, i bazuar në reciprocitet.

Ajo tha se drejtësia dhe paqja janë dy fushat me rëndësi të lartë për diplomacinë kosovare.

“Kur është fjala për integrimin euro-atlantik ky është një konsensus nacional dhe shoqëror. Në Kosovë integrimi euro-atlantik nuk është vetëm qëllim i ngushtë politik por i gjithëmbarshëm, konsensus nacional e shoqëror. Për shkak të kërkesës së shoqërisë, ne jemi të vendosur të ecim përpara dhe të shohim Kosovën, këtë vend të vogël, të integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike”, tha Gashi.

Gashi tha se Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore, duke përmendur si shembull raportet me Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, Kosova nuk është vetëm konsumuese e paqes, por edhe partnere e besuar në këtë çështje.

Drejtori i Përgjithshëm i MPJD-së, Albert Prenkaj tha se qëllimi i konferencës ka për fokus zbërthimin e idesë mbi politikë e jashtme të shndërruar “nga reaktive në perspektivë proaktive”.

Sa i përket identitetit të Kosovës, sipas Prenkajt, ajo është shembull në Evropë për liritë dhe të drejtat për minoritetet.

“Sistemi i vlerave kushtetuese që përbëjnë konstruktin e identitetit të Kosovës janë liria, demokracia, të drejtat e njeriut, standarde të larta për të drejtat e minoriteteve. Promovimi i tyre është duke e bërë Kosovën me një identitet unik internacional dhe kampione në aspektin kushtetues dhe ligjor jo vetëm në regjion por gjithashtu edhe në Evropë”, tha ai.

Në këtë takim, virtualisht kanë marrë pjesë edhe shumë të ftuar nga vende të ndryshme të botës.

Profesori i Universitetit të Kolumbias, David Phillips, i cili u lidh në konferencë virtualisht tha se ka diskutuar edhe me kryeministrin Kurti për çështje të ndryshme të diplomacisë, ndërsa ai tha se Kurti ka përmendur punësimin, dialogun Kosovë-Serbi dhe menaxhimin e pandemisë si tri top-prioritete.

Philips tha se Kosova edhe më tej ka nevojë për forcimin e demokracisë dhe të ligjit, gjithashtu për një plan ekonomik, që e hapë atë duke e bërë faktor në ekonominë rajonale.

Akademia Diplomatike është institucion i pavarur, që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka për qëllim të zhvillojë aftësitë (diplomatike) profesionale të diplomatëve. Ky institucion është themeluar më 8 mars 2012 me vendimin e Qeverisë si institucion publik që ka për qëllim përgatitjen dhe trajnimin e anëtarëve të stafit diplomatik dhe zyrtarëve të tjerë që shërbejnë nëpër misionet e Kosovës jashtë vendit.