Rtv Pendimi

DISKUTIMI PËR ZEKATIN

Një prej profesorëve tanë në universitet ishte i pasur me njohuri. Dallohej me detajet që i dinte në shumë lëmenj të përgjithshëm, shtoja këtu edhe shqisën e tij për kritikë, gjë që ndikonte në ligjërata dhe mësimet e tij. Në mësime, njëkohësisht, zgjerohej në përshkrimin praktik të gjërave e pastaj e kritikonte atë që nuk e shihte të përshtatshme.

Një ditë duke folur për zekatin e bagëtive, nisi ta shqyrtonte rolin dhe t’i përshkruante veprimet e atyre që e tubojnë zekatin, mënyrat e tyre në bartjen e zekatit dhe efektin e këtyre mënyrave. Pastaj tha që më mirë për zekat ishte të jepej vlera e bagëtisë, sepse i varfri ka më shumë nevojë për të holla sesa për bagëtinë. Në këtë mënyrë pakësohen edhe harxhimet e mbledhjes së bagëtive dhe transportit të tyre dhe i largohet çdo dëmi që mund ta prekë bagëtinë gjatë procesit të mbledhjes dhe transportit.

Unë e kundërshtova profesorin duke i thënë se zekati i bagëtive nuk lejohet të jepet në të holla dhe esenca është të kapemi për atë që ka ardhur në traditën profetike.

M’u përgjigj duke folur për dobinë dhe se sheriati synon të arrihen dobitë dhe të pakësohen të këqijat. Ia ndërpreva fjalimin duke i treguar se ai vetë na kishte mësuar se dobia nuk merret parasysh kur ka argument sheriatik. Diskutimi mes nesh u zgjat pak në kohë, ndërsa studentëve shumicës u shkonte për qejfi ky lloj i diskutimit, për ta kjo ishte një thyerje e rutinës së orës së mësimit. Shtoja faktin se disa studentë kishin interes të madh të pakësohej përmbajtja e planprogramit shkollor, e për ta çdo pyetje apo diskutim që merrte nga koha e orës mësimore, ishte e mirëpritur, ndërsa çdo pyetje apo diskutim që kontribuonte në rritjen e ngarkesës në planprogram, për ta ishte shqetësim.

– Atëherë cila është zgjidhja, – më pyeti.

– Ia jep të varfrit bagëtinë dhe ai e shet atë, – iu përgjigja.

– Këtë doja ta thosha prej mëngjesit. Nuk thashë që fillimisht të jepen të holla në vlerën e bagëtisë. Më sa duket sot nuk e paske ngrënë mëngjesin, – më tha.

Pastaj në formë të shakasë së dashur e të zakonshme që i kishte më tha: “Më duhet numri i telefonit të nënës sate, ta porosis atë të ta përgatisë ushqimin e mëngjesit për ty.”

Allahu e mëshiroftë nënën time dhe profesorin tim dhe ua dhashtë gradat e të sinqertëve!

U besova fjalëve të tij dhe e akuzova kujtesën time për gabim, në veçanti, që e di për veten se kam problem me kujtesën. Mirëpo, e kisha një shok klase që kujdesej t’i merrte shënimet e profesorit gjatë mësimit dhe, pasi përfundoi ora mësimore, më kapi për dore dhe më tha: “Atë që e tha profesori nuk është e vërtetë. Ky është materiali që e kam shkruar gjatë mësimit.” Pastaj ma dha ta lexoja.

Në orën e ardhshme, profesori ynë i respektuar ishte përgatitur mirë për temën. Fillimisht i thuri lavde diskutimit të zhvilluar në orën e kaluar, pastaj e pasuroi orën mësimore duke i përmendur mendimet e dijetarëve, i diskutoi argumentet dhe e bëri përzgjedhjen e argumenteve (të saktat nga të dobëtat).

– Disa nxënës anojnë kah diskutimi me mësuesin e vet. Ajo që i shtyn është pasioni i brendshëm për t’u paraqitur dhe për ta identifikuar veten para mësuesit apo shokëve të klasës, apo kënaqja e vetes duke e bindur se ai dallohet dhe ka njohuri.

Ndoshta ajo që e shtyn të diskutojë është provimi i mësuesit dhe futja e tij në siklet. Shpeshherë nxënësit e përdorin këtë metodë me ata mësues që nivelin shkencor e kanë të dobët, apo janë të dobët në menaxhimin e ndodhive edukative.

Në raste si këto mund të përzihen nijetet, madje vetë personit mund t’i ngatërrohet nijeti, saqë, nëse ka ndonjë nijet të fshehtë në vete, ai nuk është në dijeni se në brendësi ka diçka të tillë. Shtytësit insistojnë që ai ta bëjë një veprim të caktuar, ndërsa shtytësit e vërtetë mund të mos shfaqen derisa njeriu nuk ndalet me veten të meditojë dhe ta rishikojë atë larg çdo dëshire personale.

Jo çdoherë parashtrimi i pyetjeve të tilla është me qëllim diskutimi. Pyetja e mençur e tërheq vëmendjen e mësuesit kah nxënësi i tij.

Në shkollën e mesme, mësuesi i lëndës së feraidit[1] na shpjegonte si duhet të ndahet trashëgimia në rastin e hermafroditit (i dygjinishëm)[2]. E përmendi se dijetarët e feraidit rastin me hermafroditin e ndajnë në dy gjendje:

Gjendja e parë: Nëse shpresohet të qartësohet gjendja e tij. Në këtë rast pritet në ndarjen e trashëgimisë derisa të qartësohet gjendja e tij, a është mashkull apo femër, përveç nëse ankohen trashëgimtarët e tjerë apo ndonjëri prej tyre.

Gjendja e dytë: Nëse nuk shpresohet të qartësohet gjendja e tij. Në këtë rast ndahet trashëgimia në një mënyrë të veçantë që nuk u shpëton vështirësive.

E pyeta profesorin tim: Supozojmë që janë dy hermafroditë, për njërin shpresohet të qartësohet gjendja e për tjetrin nuk shpresohet, atëherë parashtrohet pyetja se si do ta ndajmë trashëgiminë, duke e ditur faktin se për çdo rast kërkohet mënyrë e veçantë e përllogaritjes.

Profesori mendoi gjatë dhe pastaj tha: “Nuk e di. Më jep kohë deri në ligjëratën e ardhshme.”

Kur erdhi në ligjëratën e ardhshme më tha që e kishte hulumtuar meselenë në librat e fikhut (jurisprudencës islame) dhe në librat e shkencës së feraidit, por nuk kishte gjetur diçka rreth kësaj meseleje apo se dikush kishte folur prej dijetarëve.

Pastaj tha: “Me sa duket imagjinata e shokut tuaj është e gjerë!”

– A ke pa ndonjëherë në jetën tënde hermafrodit? Apo ke dëgjuar për të, – më tha.

– Jo, – i thashë.

– Ato janë raste të rralla, e si bashkohen dy raste të tilla përnjëherë dhe në një situatë të tillë, – më tha.

Profesori i lëndës së feraidit kishte sjellje dhe modesti të dalluar, sepse disa nga profesorët këtë lloj të pyetjeve e kuptojnë sikur dëshiron ta sfidosh apo ta fusësh në siklet profesorin, apo sikur dëshiron ta paraqesësh veten. Për atë kohë nuk mund të them se kam qenë i pastër prej këtyre gjërave.

Në anën tjetër, një profesor tjetër fliste në klasë për disa mesele dhe u argumentua me ajetin në suren el-Earaf, ku Allahu thotë: “Sa shumë qytete kemi rrënuar Ne! Dënimi Ynë u erdhi natën ose ditën kur ata pushonin.” (El-Earaf: 4). Ai në vend se ta lexojë ve hum kailun (kur ata pushonin) e lexoi (ve hum naimun (kur ata flinin). I tregova se e ka gabim dhe ia përmirësova gabimin, por ai ma ktheu në mënyrë tallëse: “E ata çfarë thoshin[3]?”

I thashë: Qëllimi në ajet është gjumi apo pushimi në mesditë (kajlule) dhe nuk e ka kuptimin e të folurit apo bisedimit (el-kaul).

Kjo e shtyri më shumë të tallej dhe të qeshte, derisa vendosa ta nxirrja Mus’hafin dhe t’ia tregoja ajetin, por e lashë, nuk e bëra.

– Nganjëherë gjatë disa situatave e humbim logjikën dhe fundosemi në to duke menduar se po e mbrojmë veten. Gabimi në leximin e një ajeti nga ajetet e Kuranit mund t’i ndodhë çdo hafëzi, nuk mund të shpëtojmë asnjëri, ndërsa pozita e Kuranit është shumë më e madhe sesa ta fusim atë në zënkat dhe mosmarrëveshjet tona.

Në vitin e fundit të studimeve në fakultet, me një rast, njëri prej profesorëve u argumentua me ajetin në suren en-Nahl dhe tha: ela sa’e ma jehkumun (sa keq që gjykojnë), ndërsa unë i thashë që e saktë është: ela sa’e ma jezirun (sa e keqe është barra që do ta bartin ata). (En-Nahl: 25)

Profesori ishte shumë i edukuar, me moral të lartë dhe modest. Më tha: “Jo, ajeti është Ela sa’e ma jehkumun (sa keq që gjykojnë).

Pastaj disa studentë u kthyen kah unë dhe të gjithë njëzëri më thanë: Ela sa’e ma jehkumun (sa keq që gjykojnë).

E mora e hapa Mus’hafin tinëzisht, ndërsa profesori më vërejti dhe më pyeti: “Hë, si ishte ajeti?”

Ishte Ela sa’e ma jezirun (sa e keqe është barra që do ta bartin ata) (En-Nahl: 25), – i thashë.

U kthye kah nxënësit u tha: “Përmirësojeni ajetin kush e shkroi në fletore.”

– Kjo ma mësoi rëndësinë e vetëkontrollimit dhe të verifikimit të nijetit e, në veçanti, aty ku favorizohet vetja. Çështja nuk kufizohet me diskutimin e nxënësit me mësuesin. Shpeshherë në këtë provë vihen ata që i udhëheqin apo u prijnë njerëzve, sikur imami zëbukur, hatibi dhe ligjëruesi, mësuesi, apo ai i cili u flet njerëzve në ndonjë ndejë për ndonjë përvojë që ka kaluar nëpër të.

Nijeti është gjë shumë precize dhe e ndjeshme, gërshetohet me shumë çështje. Ndonjëri prej nesh, ndoshta, mashtrohet apo e mashtron veten se ka dobi në atë që e thotë apo e vepron, mirëpo nijetin e ka të rremë ose të përzier. Allahut i kërkojmë ndihmë!

Korrigjimi i nijetit nuk duhet të kufizohet vetëm me përpjekjen personale, sepse kemi nevojë të madhe që zemra jonë të kërkojë ndihmë prej Allahut, i Cili e di të dukshmen e që është afër nesh me dijen e Tij, ta kërkojë sinqeritetin dhe çiltërsinë.

– Rasti më mësoi që të jem praktik gjatë trajtimit të nxënësve dhe studentëve të mi. Nisa ta kuptoja tabiatin e tyre, ndoshta ndonjërit prej tyre ia plotësova nevojën duke e dëgjuar me vëmendje kur fliste, apo duke e vlerësuar lart pyetjen apo kundërshtimin e tij, ndërsa shërimi i problemit kërkon kohë tjetër.

Pejgamberi g kujdesej për këtë botëkuptim. Abasi h i tha Pejgamberit g  në ditën e çlirimit të Mekes: “Ebu Sufjani është njeri që e do prestigjin, prandaj jepi atij diçka!” Pejgamberi g tha: “Po (do t’i jap). Kush hyn në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i sigurt, kush e mbyll derën e shtëpisë së tij është i sigurt.”[4]

Për atë që dëshiron ta përmirësojë veten dhe të tjerët duhet të mësohet të jetë praktik apo real. Të kritikuarit e veprimeve të gabuara, të folurit për shëmbëlltyra dhe synime të larta, nuk mjaftojnë për të ndërtuar njerëz të djathtë.

– Këto raste më mësuan se është rëndë ta pranoj gabimin si dhe është vështirë ta pranoj mendimin e tjetrit si të saktë. Vetja anon ta shfajësojë veprimin e saj. Aftësia e njeriut për t’i zbuluar mangësitë në fjalët dhe punët e të tjerëve është shumë më e lartë se aftësia e tij për t’i zbuluar mangësitë dhe gabimet e tij. Kjo, sepse rezultatin e të tjerëve e shikon me syrin e kritikës, ndërsa veten e shikon me syrin e mbrojtjes dhe shfajësimit.

Në anën tjetër, aftësia jonë është më e madhe për ta mbrojtur veten, për ta justifikuar dhe për ta shfajësuar gjatë situatave kur gabojmë dhe kemi lëshime.

– Vetë e përjetova praktikisht, kur fillova me punë si mësues, e pashë se sa e rëndë ishte të pranohej gabimi. Kisha rastin që nxënësit e mi të diskutonin me mua sikur që unë diskutoja me profesorët e mi. Argumentet e tyre me mua ishin më të forta se argumentet e mia me profesorët e mi, leximi dhe diapazoni i dijes së tyre ishte më i gjerë dhe më i thellë se në kohën kur unë isha sikur ata në klasat e mësimit.

– Po ashtu, këto raste më mësuan sa e rëndësishme është të kujdesemi për natyrën e të tjerëve. Nuk është prej urtësisë që gjatë mosmarrëveshjeve me tjetrin, ta fusim atë në një kënd të mprehtë dhe ta shtyjmë ta pranojë gabimin apo ta ndryshojë mendimin.

Mësuesi dhe edukatori më i mirë, Pejgamberi g gjatë trajtimit të sahabëve kujdesej për natyrën e tyre. Sulejman ibën Sured h përcjell se në prani të Pejgamberit g u fjalosën dy burra njëri me tjetrin, saqë iu skuq dhe ju ënjt fytyra (nga zemërimi). Pejgamberi g i tha: “Vërtetë, unë e di një fjalë, po ta thotë, do t’i kalojë ajo që e gjen nga zemërimi i tij.” U nis ta lajmëronte me fjalët e Pejgamberit g i cili tha: “Kërko mbrojtjen e Allahut nga shejtani (të thotë: eudhu bilahi mine shejtani rraxhim).” Por, personi i zemëruar tha: “A të dukem i sëmurë? Unë nuk jam i çmendur. Largohu!”[5]

[1] Shkencë e cila merret me normat e së drejtës trashëgimore në sheriat. (sh.p.)

[2] Për qëllim e kishte fëmijën që lind me organet e mashkullit dhe të femrës, nuk dihet se a llogaritet mashkull apo femër. Shumica e këtyre rasteve me zhvillimin e mjekësisë kanë filluar të zhduken. (sh.a.)

[3] Kështu i tha profesori shkaku që fjala që ka ardhur në ajet është “kailun”, që nganjëherë nëse nuk dihet baza e fjalës, mund t’i jepet kuptim tjetër. Fjala “kailun” në këtë rast, bazën e ka nga “kajlule” që nënkupton pushim në mesditë, dhe nuk e ka burimin nga fjala “kale” e që e ka kuptimin ka thënë. (sh.p.)

[4] Ebu Davud (3021).

[5] Buhariu (6048), Muslimi (2610).

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë nga libri: “Gabimet më mësuan”

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH