Burkina Faso, 3.280 shkolla të mbyllura për shkak të terrorizmit

Sipas qeverisë në Burkina Faso, bastisjet nga ekstremistët e armatosur kanë detyruar mbylljen e mbi 3 mijë shkollave në mbarë vendin, duke prekur mijëra nxënës dhe mësues, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Arsimit dhe Promovimit të Gjuhëve Kombëtare njoftoi se deri më 31 dhjetor të vitit 2021 në vend 3.280 shkolla janë mbyllur.

Shifrat përfshijnë 13,09 për qind të shkollave të vendit, respektivisht janë prekur 511.221 nxënës dhe 14.901 mësues.

“Kjo është shumë me rëndësi dhe ka arsye për shqetësim”, tha në një konferencë për media Alkassoum Maiga, zëdhënës i qeverisë.

Megjithatë, tha Maiga, po ashtu 205 shkolla që përfshijnë 39.812 nxënës dhe 1.099 mësues, janë rihapur dhe 25 shkolla janë zhvendosur.

Në maj të vitit 2021, Zyra e Kombeve të Bashkuar për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) theksoi se mbylljet e shkollave prekën 304.450 nxënës dhe 11.068 mësues, duke theksuar një “situatë mjaft të trazuar të sigurisë”.

Vendi i Afrikës Perëndimore që nga viti 2015 ka qenë objektiv i sulmeve të përsëritura terroriste.

Sipas ‘Human Rights Watch’, pasi “sulmet e para të shkollave në Burkina Faso u regjistruan në vitin 2017, numri dhe ashpërsia e këtyre sulmeve ka qenë në rritje”.

“Sulmet nëpër shkolla dhe ndërprerjet e shkollimit kanë ndikuar në cilësinë e arsimit të ofruar dhe kanë bërë që shumë nxënës të mbeten pas”, theksoi organizata.

OCHA raportoi se terrorizmi po ashtu ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të mbi 1,4 milion njerëzve, si dhe pasiguri ushqimore për mbi 2,8 milionë njerëz.