Bashkesia-islame-Kosove-objekti (1)

BIK: Të enjten përfundon Ramazani, të premten festa e Fitër Bajramit

Bashkësia Islame e Kosovës njofton opinionin e gjerë se muaji i madhëruar Ramazan përfundon të enjten më 20 prill 2023, ndërkaq dita e parë e festës së Fitër – Bajramit është të premten, më 21 prill.

Në njoftim bëhet e ditur se manifestimi qendror për festën e Fitër – Bajramit për Republikën e Kosovës mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Manifestimi fillon në orën 5.05, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed Stublla.

Namazi i Fitër – Bajramit falet në orën 06:23, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Hytben e Fitër – Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e festës së Fitër – Bajramit, ditën e parë, më 21 prill 2023, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

Me fat festa e Fitër – Bajramit!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/