Biden: Nëse amerikanët dhe rusët hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit, kjo do të ishte luftë botërore

Biden: Nëse amerikanët dhe rusët hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit, kjo do të ishte luftë botërore

Presidenti amerikan Joe Biden bëri thirrje për largimin e menjëhershëm të shtetasve të SHBA-së nga Ukraina, duke theksuar që vendi i tij nuk do të dërgojë ushtarë për evakuimet, ndërsa paralajmëroi që “nëse amerikanët dhe rusët hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit, kjo do të ishte luftë botërore”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biden, i cili dha një intervistë për televizionin amerikan NBC, foli për krizën në Ukrainë dhe planet e Washington-it në rast të një invazioni të mundshëm.

“Amerikanët duhet të largohen menjëherë nga vendi (Ukraina)”, tha Biden në pjesën e parë të transmetuar të intervistës, duke iu drejtuar shtetasve të SHBA-së në Ukrainë.

Ai shtoi se kërcënimi për një invazion rus ende vazhdon.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse SHBA-ja do të dërgojë trupa në Ukrainë për evakuimin e amerikanëve (ngjashëm sikur në Afganistan), Biden tha: “Ne nuk kemi një plan të tillë. Nëse amerikanët dhe rusët hapin zjarr ndaj njëri-tjetrit, kjo do të jetë një luftë botërore. Ne jetojmë në një botë shumë ndryshe”.

Departamenti amerikan i Shtetit u ka bërë gjithashtu thirrje amerikanëve në Ukrainë që të largohen menjëherë nga vendi në një njoftim të publikuar dy ditë më parë, duke shtuar se nuk do të zbatohet ndonjë plan evakuimi.

Po ashtu, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se nuk ka plane evakuimi për Ukrainën të ngjashme me ato në Afganistan.