Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Fitër-Bajramit

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Fitër-Bajramit

Besimtarët myslimanë në Kosovë po festojë sot festën e Fitër-Bajramit.
Manifestimi qendror i kësaj feste u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, shoqëruar me këndim të Kuranit, selavate, tekbireve dhe ilahive.
Fillimisht namazit të sabahut i priu kryetari i Këshillit të BI-së në Prishtinë, Hetem ef. Sopjani, ndërsa ligjëratën tematike kushtuar festës së Fitër-Bajramit e mbajti Bahri ef. Hoxha, për të vazhduar më pas me namazin e Bajramit, të cilit i priu kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava mbajti hytben e Bajramjt, ku përmendi rëndësinë dhe veçoritë e kësaj feste që në vete sjell dashurinë, respektin, tolerancën ndaj njëri- tjetrit si dhe begatitë të tjera.
Duke lutur Zotin që të na e ketë pranuar agjërimin, “Festa e Fitër Bajramit si asnjë festë tjetër na bashkon me familjen me më të dashurit tanë, me fqinjët, miqtë e farefisin, ngase këtë e kemi obligim. Zoti na mëson se besimtarë të vërtetë janë ata që mbajnë lidhjet familjare, ngase për to ka urdhëruar Allahu. Festa e Fitër-Bajramit është një prej momenteve më të gëzueshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ngase në vete përmban mesazhet hyjnore që ofrojnë familjen të afërmit miqtë dhe farefisin”, tha ai.

Myftiu Tërnava mes tjerash bëri thirrje për paqe nëpër të gjitha vendet e botës duke specifikuar vendet ku Fitër-Bajrami i ka gjetur në konflikte të armatosura.

“Ne po shijojmë mirësitë e kësaj feste, në shumë vende të botës kemi konflikte e gjakderdhje ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, dëbime, vrasje e shkatërrime. Nuk është ky misioni i njeriut në këtë jetë, kështu nuk na mësojnë librat e Zotit e nuk kanë ligjëruar në këtë mënyrë as të dërguarit e Zotit”, tha Myftiu në hytben e Bajramit.

Festa e Fitër Bajramit për besimtarët mysliman vjen pas përfundimit të muajit Ramazani, ku besimtarët kanë agjëruar për gjatë gjithë muajit si dhe shënojnë këtë muaj me ibadete të ndryshme.