“BE-ja po studion të gjithë skenarët për veprimet e Rusisë kundër Ukrainës”

“BE-ja po studion të gjithë skenarët për veprimet e Rusisë kundër Ukrainës”

Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian aktualisht po shqyrton skenarë të ndryshëm për veprimet e Rusisë kundër Ukrainës për të përgatitur bllokun për të gjitha mundësitë, deklaroi kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne presim më të mirën, por po përgatitemi për më të keqen”, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Borrell, në lidhje me përgjigjen e bllokut ndaj përqendrimit masiv ushtarak rus në dhe rreth Ukrainës, në fjalimin e tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës.

Borrell tha se përqendrimi i trupave është një “përpjekje për të minuar integritetin territorial të ukrainasve, i cili tashmë ishte rrezikuar pasi Rusia mori Krimenë”.

Ai pranoi se “janë duke studiuar skenarë të ndryshëm që mund të imagjinohen se mund të ndodhin në ditët ose javët në vijim” në mënyrë që të përgatisin përgjigjen e BE-së ndaj çdo zhvillimi.

Borrell përsëriti paralajmërimin e bllokut se një sulm kundër Ukrainës do të kishte një “kosto të lartë politike dhe ekonomike” për Rusinë, por theksoi se diplomatët e BE-së po punonin për “të parandaluar” pasi blloku nuk dëshiron të kontribuojë në përshkallëzimin e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë.

Në vitin 2014, Moska filloi të mbështesë forcat separatiste në Ukrainën lindore kundër qeverisë, një politikë të cilën ajo e ka zbatuar në shtatë vitet e fundit.

Për herë të dytë këtë vit, Rusia përqendroi një numër të konsiderueshëm trupash në kufijtë e Ukrainës muajin e kaluar.

Zyrtarët e lartë të BE-së kanë shprehur vazhdimisht mbështetje për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës gjatë muajve të fundit.

BE-ja ka aplikuar masa kufizuese në përgjigje të krizës ukrainase që nga viti 2014.

Aktualisht, 188 persona dhe 48 subjekte janë në listën e zezë të bllokut për shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.

Sanksione të veçanta ekonomike mbi sektorët e financave, energjisë dhe mbrojtjes të Rusisë janë gjithashtu në fuqi për shkak të hezitimit të Moskës për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Minskut që synojnë të vendosin paqen në Ukrainën lindore.

Të hënën, BE futi gjithashtu në listën e zezë kontraktorin ushtarak privat rus Wagner Group për shkelje të të drejtave të njeriut dhe ndërhyrje në konflikte në mbarë botën, përfshirë atë në Ukrainë.