[There are no radio stations in the database]

Bashkësitë fetare në kohën digjitale: sfida dhe mundësi për të drejtat e njeriut

Në Kolegjin AAB, u mbajt sot një Tryezë diskutimi me temën “Roli i bashkësive fetare në epokën digjitale: përfitim apo sfidë për të drejtat dhe liritë e njeriut?”, e organizuar në bashkëpunim me Fakultetin Juridik dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja u hap nga prorektorja Venera Llunji, e cila vlerësoi rolin e arsimit të lartë në nxitjen e dialogut ndërfetar, ndërsa këshilltarja e OSBE-së, Valbone Dërmaku, theksoi mbështetjen e organizatës ndaj proceseve qytetare dhe fetare që avancojnë liritë e njeriut.

Pjesëmarrës në panel ishte edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti, i cili solli një perspektivë mbi kontributin që institucionet fetare japin në epokën digjitale. Në fjalën e tij, ndër të tjera, kryeimami Sahiti theksoi se: “Liderët fetarë dhe bota akademike dhe e artit kanë një detyrë të përbashkët: jo t’i bllokojnë shkencat dhe inovacionin, por t’u japin atyre shpirt duke shkruar algoritme që përfshijnë në kodet e tyre respektin për shenjtërinë e jetës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.”

Ai foli gjithashtu për përgjegjësinë e komuniteteve fetare në orientimin e të rinjve drejt komunikimit etik online, luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe nxitjen e solidaritetit shoqëror nëpërmjet hapësirave virtuale.

Në panel morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare. Nga aspekti akademik, diskutimin e pasuroi dekani Mentor Lecaj, duke dhënë një perspektivë juridike për sfidat teknologjike dhe domosdoshmërinë e përditësimit të politikave publike.

Tryeza përmbyllëse nënvizoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve arsimore.


[There are no radio stations in the database]